GJERMANI, 2 prill 2013 – Emocione të shumta pritet të dhurojë sot në mbrëmje super sfida Bajern Mynih – Juventus. Stadiumi fantastik pritet të dhurojë një nga spektaklet më të bukura në futboll, pasi dy skuadrat që vihen përballë njëra tjetrës kanë shënuar historinë e futbollit të vendit të tyre.

7 mijë tifozë juventin do të mbështesin ekipin e tyre të zemrës  kundër Bajern Mynihut në fazën e parë të çerekfinaleve të Champions League. Të gjitha biletat e vëna në dispozicion për miqtë nga Torino janë shitur. Shumë specialistë të futbollit e kanë cilësuar këtë sfidë si finalen e parakohshme të Champions.

Mbështetësit e Juves kanë mbërritur sot në mëngjes në kryeqytetin bavarez dhe kanë pushtuar sheshin ‘Marienplatz’. Shumë nga italianët të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani, këtë herë do të bëjnë tifo për skuadrën e Antonio Contes.

Në “Allianz Arena” kampionët e Italisë do të kërkojnë të kalojnë turin përballë një ekipi realisht të frikshëm dhe që në çdo moment mund të gjejë rrugën e golit. Në kampin e Juventusit kjo sfidë është pritur me përulësi.