TIRANË, 2 prill 2013 – Ekonomia shqiptare u rrit gjatë vitit 2012 me 1.6 %, duke rikonfirmuar periudhën e vështirë që po kalon. Shifra e publikuar nga Instituti i Statistikave tregon se norma e rritjes së Produktit të Përgjithshëm Kombëtar është e përafërt me atë të parashikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe gati dyfish më e ulët se ajo e deklaruar nga qeveria. 

Sipas të dhënave tw INSTAT-it, ekonomia shënoi rënie të ndjeshme që në tremujorin e parë të 2012-ës. Situata u përmirësua në tremujorët e tjerë, megjithëse në përfundim të vitit niveli i rritjes rezultoi 1.6 për qind. Në tre muajt e fundit të vitit, kontributin pozitiv në rritjen ekonomike e kanë dhënë sektorët e bujqësisë, industrisë, shërbimeve dhe post-komunikacionit. Ndërkohë që ndërtimi, transporti dhe dega “Tregti, Hotele dhe Restorante” shënuan rënie. 

Ngadalësimi i ekonomisë ishte parashikuar nga ekspertët vendas, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN dhe banka botërore. Këto të fundit parashikojnë një përmirësim të lehtë të rritjes ekonomike gjatë këtij viti, si pasojë e sinjaleve pozitive të ekonomisë evropiane. Ndërkombëtarët parashikojnë një rritje nga 2 deri në 2,5 për qind, ndërkohë që objektivi i qeverise është për një nivel rritje 4 për qind.