TIRANE, 02 prill 2013– Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka bërë zyrtarisht ftesë Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u bashkuar në një koalicion të vetëm për zgjedhjet e 23 qershorit. Duke folur në mbledhjen e grupit, kryesocialisti Rama ka argumentuar para shqiptarëve edhe arsyen për një zgjedhje të tillë. “Që vullneti të mbahet prej çdo manipulimi dhe të hapim një periudhë transformimi rrënjësor duhet të fillojë sot zyrtarisht procesin e një koalicioni sa më të gjerë për të garantuar zgjedhjet, për të fituar zgjedhjet, për të dalë fitues në sfidat e mëdha të kohës dramatike për vendin, në emër të interesit kombëtar e publik dhe PS për të materializar përmes instrumentit të qeverisjes programin për rilindje dua të shpallim vullnetit për të hapur një faqe të re të historisë së bashkëjetesës sonë me LSI, e ftoj sot direkt e publikisht LSI, që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt nga kundërshtari të vijë në koalicion parazgjedhor me PS si dy forca të së majtës” tha Rama.
Sipas tij, e shkuara i ka dhënë mësimet për të mos përsëritur gabime që në 8 vjet i kanë kushtuar vendin dhe të majtës. “Berisha dhe PD s’kanë qenë asnjë ditë shumicë në popull, por prej 8 vitesh kanë ushtruar pushtet të marrë falë ndarjes sonë, e panatyrshme dhe e pafalshme para vendit që ne PS të mos bëjmë gjithçka kemi në dorë për të rihapur rrugën e bashkimit që siguron votën në 23 qershor duke i kthyer shumicës së popullit të drejtën e qeverisjes, nga ky bashkim humbet vetëm pakica PD që nuk ka lidhje me asgjë demokratike e ka përfituar falë manipulimeve zgjedhore e ndarjeve në kampin tonë”,- tha më tej ai. Sipas Ramës nuk duhet të ketë me asnjë dyzim më shumë në rrugën ku ka 8 vjet që përfaqëson historikisht pakicën dhe humbet një popull. “Sot duhet bashkim, askush nuk duhet t’i trembet, gjithkush që do rilindjen duhet ta kuptojë se realizohet mes pushtetit dhe jo ngurrim për tu bashkuar në funksion të fitores. Keshtu fiton cdo njeri i zakonshëm që nuk voton, mendon e jeton dot i lirë për shkak të shantazhit politik që ka ndërtuar kryeministri dhe partia e tij familjare” tha Rama. Ai ka pranuar se e shkuara ka hijen e vet që pengon sot të shohë qartë, rrezikun që i kanoset zgjedhjeve dhe perspektivën të shohë bashkimin.
Mblidhet kryesia e PS-së, zyrtarizohet ftesa për LSI-në, Braçe kundër
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur t`i drejtohet zyrtarisht Lëvizjes Socialiste për Integrim me një ftesë për koalicion në zgjedhjet e 23 qershorit. Burime nga mbledhja konfirmojnë zyrtarizimin e ftesës për LSI-në ndërsa mësohet se ftesa do të bëhet publike pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ku do të bëhen me dije edhe temat ku do të fokusohet bashkëpunimi parazgjedhor. Mësohet se kundër një bashkëpunimi me LSI-në është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe i cili ka theksuar se nuk duhet të harrohet “21 janari”. Zërat për marrëveshjen Rama Meta u paraprinë që nga e shtuna nga një seri thirrjes publike të përfaqësuesve të lartë të së majtës europiane, pikërisht për një bashkim mes dy forcave të majta. Të shtunën ishte presidenti i Partisë Socialiste Europiane Sergei Stanishev, të dielën zëvendëspresidenti i parë i parlamentit Gianni Pittella, ndërsa dje ishte radha e presidentit të internacionales socialiste Jorgos Papandreu, që të kërkonte që të dy drejtuesit të linin pas krahëve divergjencat dhe të bashkoheshin për të garantuar fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë pasditen e djeshme, Kryetari socialist Edi Rama mblodhi në një lokal në periferi të Tiranës stafin e tij më të ngushtë për të diskutuar e vendosur në lidhje me marrëveshjen me partitë aleate.Pas përfundimit të mbledhjes nuk u dha asnjë detaj për diskutimet që janë bërë gjatë saj por mendohet që në fokus të ketë qënë koalicionet paszgjedhore dhe çështja më e diskutueshme, ajo e aleancës së dy forcave më të mëdha politike të së majtës, PS dhe LSI.
Ftesa për bashkëpunim me LSI, Partia Socialiste mbledh kryesinë e saj
Ka nisur mbledhja e kryesisë së Partise Socialiste, e cila do të zyrtarizojë sot ftesën për koalicion, drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë mbledhje pritet që ftesa të formalizojë dhe kushtin me të cilin i drejtohet kjo ftesë. Ndërkohë që një ditë më parë Rama mblodhi në një darkë pune një pjesë të kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar. Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Blendi Klosi, Ditmir Bushati, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Erion Veliaj, bashkiakët Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Niko Peleshi ishin dje, pjesë e darkës në një prej lokaleve të periferisë së Tiranës. Nuk ka patur deklarata pas kësaj darke gjithsesi mendohet se koalicioni me LSI ka qenë në qendër të takimit.





