DURRES, 02 prill 2013– Fundjava ka ofruar larmi artistike dhe ndërveprim cilësor mes biznesmenëve të qyteteve të Durrësit dhe Prizrenit, të cilët e kanë shtrirë në nivele të tjera njohjen dhe bashkëpunimin, duke shkrirë kufijtë gjeografikë dhe ata artistikë. Orkestra simfonike e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit të Durrësit u mirëprit nga artdashësit e shumtë që ndoqën koncertin e dhënë prej saj në sallën e Shtëpisë së Kulturësstë Prizrenit. Shfaqja u organizua dhe financua nga Klubi Rotarian i Durrësit në bashkëpunim me Klubin Rotarian të Prizrenit, si dhe me ndihmën financiare të kompanive AL – MAR, Teuta, Hotel Arvi, ALBTOURS D dhe GO-TECH.
Mbrëmjen e çeli drejtoresha e shkollës Nevila Kalaja e cila nënvizoi rëndësinë mbarëkombëtare të këtyre aktiviteteve, ndërsa programi artistik nisi me himnin tonë kombëtar të ekzekutuar nga orkestra simfonike dhe kënduar nga kori i shkollës. Në vazhdim, artistët e rinj interpretuan pjesë të zgjedhura nga muzika popullore, nga autorët më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Repertori i zgjedhur me kujdes e sqimë, si dhe ekzekutimi me ndjenjë e profesionalizëm u pëlqyen shumë nga publiku prizrenas i cili nuk i kurseu duartrokitjet gjatë gjithë shfaqjes. Veç interpretimeve me nivel artistik nga orkestra, spikatën dhe ato të solistëve, si Alisa Kristani në piano, Llazar Daka në kitarë apo interpretimi i këngës “Për ty atdhe” nga baritoni i ri Bledar Domi. Një vend të vecantë në program pati dhe muzika popullore me pjesët “Pranvera nisi me ardh” apo “Si dukat i vogël je” interpretuar nga Ansambli Popullor i drejtuar nga Saimir Kalaja.
Mbyllja e programit me këngën “Xhamadani vija vija” bëri që salla të ngrihej në këmbë e të këndonte së bashku me korin, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë. Duartrokitjet vazhduan për minuta të tëra, duke përcjellë emocion jo vetëm te artistët interpretues, por edhe te të gjithë përfaqësuesit e biznesit durrsak dhe pjesëmarrësit e tjerë nga qyteti bregdetar, mes të cilëve pati dhe fëmijë. Pjesëmarrja e këtyre të fundit mbart një rëndësi të veçantë për marrëdhënien që vendoset midis brezave në përcjelljen e frymës së bashkëpunimit dhe artit që bashkon përtej kufijve, distancave dhe mentaliteteve në një realitet të ri. Padyshim që shfaqja u vlerësua nga të gjithë si një sukses i plotë. Edhe pas përfundimit të saj nuk munguan përgëzimet dhe urimet e artdashësve prizrenas ndaj artistëve të rinj durrsakë.
Paraqitja dinjitoze me nivel të lartë artistik të orkestrës simfonike, drejtuar me mjeshtëri dhe autoritet profesional nga dirigjentja Shpresa Tafai, dëshmon për seriozitetin dhe përkushtimin me të cilët punojnë së bashku, drejtuesit, stafi pedagogjik dhe nxënësit – artistë të rinj të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”. Kjo shfaqje e bukur dhe të tjera si kjo shërbejnë natyrshëm në bashkimin shpirtëror të kombit tonë të ndarë në dy shtete. Organizimi i këtij aktiviteti nga Klubi Rotarian i Durrësit ishte i kujdesshëm në përputhje të plotë me frymën dhe moton e lëvizjes rotariane: ”Shërbim dhe vetëm shërbim ndaj komunitetit”.
/Vaso Marto, Antar i Klubit Rotary të Durrësit/





