DURRES, 02 prill 2013– Reshjet e ditëve të fundit dhe përkeqësimi i kusheteve atmosferike kanë rikthyer rrëshqitjen e dherave nga Kodra e Durrësit drejt Currilave dhe Brrylit, duke penguar kështu dhe shtabin e emergjencave për të ndërhyrë për pastrimin e zonës.

Prefekti i Qarkut Durrës, njëkohësisht shefi i shtabit të emergjencave, Genc Alizoti tregon se si pasojë e rrëshqitjes masive të tokës, probleme hasen jo vetëm në aksin  rrugor që lidh shëtitoren Taulantia me Currilat, i cili prej disa javësh është bllokuar plotësisht në njërin kah, duke u bërë i pakalueshëm për automjetet, por edhe tre shtëpi si dhe disa biznese që operojnë pikërisht në atë zonë.

Alizoti sqaron se vatra e rrezikuar, zgjerohet sa herë që ka reshje shiu, por krahas kësaj nuk do të ndërhyhet për shkak se sasia e dheut që ka rrëshqitur aktualisht shërben si një mur mbrojtës dhe largimi i saj do të degradonte më tej gjendjen.

Fenomeni i erozionit të rrëshqitjes së Kodër Currila është shfaqur prej disa vitesh, për shkak të tokës së paqëndrueshme argjilore por edhe dëmtimit të kurorës së gjelbër si dhe ndërtimeve me apo pa  leje.

Edhe pse çështja është  e njohur  nga të gjithë strukturat shtetërore si bashkia Durrës, prefektura, Qarku, mjedisi e pyjorja, deri më tani nuk  ka ndonjë veprim konkret pasi sistemimi i gjithë zonës  kërkon  projekte të detajuara dhe fonde që kapin shifra të mëdha, të papërballueshme nga ana e Bashkisë Durrës.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Durrah"/