Nga Blerina Rogova – Gaxha*

Pse duhet të ketë një debat kaq të ashpër për osmanlinjtë dhe për shqiptarët. Për historinë dhe rishkrimin ose retushimin e saj. Pse duhet të kapemi kaq keq për proceset historike, derisa ato i njohim shumë pak. Pse më në fund kapemi për Ballkanin dhe fatin e popujve të vegjël të tij, që nuk ishin asgjë më shumë se sa një grimcë në mesin e përballjes së dy civilizimeve të kohës së Perandorisë Osmane që po krijohej dhe Bizantit që po zmbrapsej. Më në fund a mund të flasë dikush pa paragjykime për rolin që kishin pasur popujt e vegjël në përplasjen e madhe të këtyre dy civilizimeve, e të shqiptarëve në përgjithësi. Ishin të pushtuar ata nga Perandoria Osmane, apo bashkëjetuan me të për shumë shekuj. Këto janë dilemat që nuk kanë marrë një përgjigje as shkencore e as historike.

Temat e mëdha, siç është roli i popujve të vegjël në përplasjet epokale e me ndikime globale historike, do të duhej të ishin bazë studimi e specialistëve me kompetencë shkencore, e jo brumë i debatit diletantesk i “partizanëve osmanlinj” ose atyre që duan të shiten më “katolikë se Papa”.

Por debati i nisur nuk ka si të mos hyjë në qorrsokak, sepse është pasojë e historisë së shkruar mbrapsht, dhe përtej kësaj pasqyrim i abuzimit me historinë e për interesa të pushteteve me “kryq e me hanë”apo diktaturave të kohës. Për fatin e keq kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët.

Prandaj, ballkanasit janë mësuar të kapen për fyti çdoherë. S’është çudi që secili popull në këtë gadishull ta shkruajë e ta thotë ndryshe historinë. S’është çudi që serbët të kenë teza krejtësisht të ndryshme nga ato të shqiptarëve. Që boshnjakët të kenë teza krejtësisht të ndryshme. Që kroatët të kenë po ashtu teza krejt të tjera. Dhe të habiten kur ti u flet për historinë. E pastaj të habitesh edhe vetë kur dëgjon për mënyrën se si ata e kanë mësuar historinë, kur madje edhe boshnjakët thonë se prejardhjen nga ilirët e kanë ata e jo shqiptarët. Sepse kështu e kanë mësuar në shkollë. Shkolla si institucion i dijes dhe libri si instrument. Prandaj secili nën fjalën turke“ballkanas”, ka interpretimin e vet të historisë, të mësuar sipas ideologjisë, partisë, apo diktaturës nën të cilën është rritur e formuar.

Përtej librit, që duket se kosovarët e kanë halë në sy, televizioni e filmat janë burimi kryesor i asaj që dimë ose besojmë se e dimë për historinë.

Komunizmi, që për regjisorët e sotëm e Shqipërisë quhet si “parajsë e filmit”, sot i mëson njerëzit se si ta shohin vetë komunizmin. Por teoria politike që në Shqipëri u shndërrua në diktaturë, një ndër armët e forta të propagandës ka pasur edhe filmin, sidomos për ne përtej kufirit, që këta filma i kemi konsumuar në masë. Siç e ka interpretuar si “të mirë” atë që për “klasën” ishte e mirë, dhe siç e ka zhdukur çdo gjë që e interpretonte si “të keqe” e të dëmshme, sistemi i diktaturës atje edhe historinë e ka zgjedhur sipas përshtatshmërisë. Ka jo pak shqiptarë këndej e andej që historinë mund ta njohin më shumë nga kryeveprat kinematografike të kohës, si filmi për Skënderbeun e Ismail beun, se sa nga vetë librat.

Por një film artistik është vetëm një paraqitje artistike e dramatike ndoshta, por jo edhe një dokumentar, që kap anë të ndryshme të fakteve e argumenteve. Një film është vetëm dora e një regjisori që dramatizon një moment a një figurë të historisë që asnjëherë nuk mund të shndërrohet në burim të fakteve e të besueshmërisë. Nëse nuk mund t’u besojmë filmave historikë, atëherë mbetet për të parë se çfarë thotë historia. Po çfarë ndodh kur historia është shkruar nën rrethanat e caktuara politike dhe historianët i kanë interpretuar faktet sipas dirigjimeve të liderëve politikë. Ndonëse ambiciet e historianëve mund të kenë qenë të tjera, e të kenë qenë të tjera edhe ambiciet e regjisorëve.

Sot janë kryesisht historianë të huaj që i trandin kosovarët me tezat e tyre për Kosovën. Dhe sot, janë kryesisht regjisorë të huaj që të tmerrojnë për ato që nxjerrin në ekran për Kosovën. Dhe derisa regjisorët e huaj ua marrin kosovarëve temat para fytyrës, dhe teza të tjera historianët ua gjuajnë përpara fytyrës, ne duket se jemi vetëm pranuesit që i përbijmë, për t’i komentuar më pas nëpër rrjetet sociale.

http://www.zeri.info/artikulli/2874/histori-me-kryq-e-me-hane

* Blerina Rogova Gaxha, e lindur në Gjakovë më 22 shtator 1982. Ka ndjekur studimet themelore katërvjeçare në Degën e Letërsisë Shqipe, të Fakultetit Filologjik të Prishtinës, dhe studimet postdiplomike – Master, në fushën e formave dhe teorive letrare moderne. Më 10 tetor 2008 ka mbrojtur temën e Masterit “Format e prozës së Ismail Kadaresë”. Gjatë kësaj kohe në vazhdimësi ka bashkëpunuar me shtypin vendor, me gazetën Koha ditore dhe me revistën letrare Verbi, në të cilat ka botuar tekste që trajtojnë tema të kulturës, respektivisht tekste analitike dhe studime letrare. Nga viti 2009 deri në vitin 2011, ka punuar si gazetare në Radio BBC, sesioni në gjuhën shqipe. Nga viti 2009 ka shkruar kolumne dhe reportazhe për gazetën ditore Zëri. Në këtë medium tani është Redaktore për kulturë. Në vitin 2009 ka botuar një libër me poezi që titullohet “Gorgonë”, në shtëpinë botuese Rozafa. Ky libër ka fituar edhe çmimin letrar “Mitingu i Poezisë”, si libri më i mirë për vitin 2010. Pjesë të tij janë botuar në gjuhën gjermane (Lichtungen) dhe në atë boshnjake (Sarajevske sveske). Tani është në përfundim të librit të dytë me poezi, disa prej poezive të kësaj vepre, janë përkthyer tashmë në gjuhën gjermane dhe do të botohen së shpejti. Ka bashkëpunuar po ashtu me disa revista letrare nga Gjermania dhe Austria, Lichtungen dhe Wespennest. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, si poete dhe si publiciste, është ftuar dhe ka marr pjesë në festivale të letërsisë dhe në panairin e librit në Lajpcig të Gjermanisë. Tani është edhe anëtare e PEN Qendrës së Kosovës.