Durrësi rrezikon mungesën e aktiviteteve madhështore me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ashtu si të gjithë shqiptarët në mbarë vendin, po dhe përtej kufijve shtetërorë, edhe qytetarët durrsakë presin afrimin e këtij jubileu historik që më së shumti po lë gjurmë te brezi i ri. Po ndërsa ditët afrohen me shpejtësi situata financiare në arkën e bashkisë është kritike dhe rrezikon festime të vakëta.
Arka e boshatisur nga marrja e grantit qeveritar për bashkinë e Durrësit në favor të shlyerjes së borxheve të Ujësjellësit ndaj CEZ, si dhe problemet e bashkisë në mbledhjen e taksave të biznesit të vogël kanë krijuar probleme të mëdha, të cilat kanë shkaktuar së pari vështirësi në pagimin e punonjësve bashkiakë, cënim të investimeve publike të parashikuara dhe vënien në pikëpyetje të aktiviteteve të parashikuara për t’u zhvilluar në këtë 100 vjetor të Pavarësisë.
Shkak, sipas kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është bërë akti normativ i miratuar në Kuvend, i cili prek transfertën e pakushtëzuar të bashkisë së Durrësit për t’ia kaluar shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime në funksion të shlyerjes së borxheve të saj ndaj CEZ. Ndaj deklarimit të kryebashkiakut Dako ka reaguar deputeti dhe kreu i Partisë Demokratike në Durrës Igli Cara, i cili thotë se reagimi i Dakos ndaj aktit normativ është i dëshpëruar, pasi e nxjerr administratën bashkiake dhe strukturat e saj zbuluar në lidhje me realizimin e të ardhurave, kryesisht të siguruara nga mbledhja e taksave të biznesit të vogël, si dhe taksave të qytetarëve.
Qëndrime të ndryshme mes dy palëve ka dhe në lidhje me detyrimet ndaj Ujësjellësit dhe rrjedhimisht komunitetit. Kryebashkiaku Dako shprehet se shoqëria Ujësjellës Kanalizimeve nuk i ka kaluar bashkisë dhe nuk ka pse krejt papritur transferta e pakushtëzuar e qeverisë për bashkinë të kushtëzohet në drejtim të një borxhi të akumuluar nga keqmenaxhimi i shoqërisë.
Ndërkaq deputeti Cara thotë se bashkia e Durrësit është aksioneri kryesor i UKD-së dhe se në 2007 u shmang nga marrja e shoqërisë për shkak të situatës kritike financiare të saj, ndërkohë që mbetet aksioner kryesor dhe si e tillë ka detyrime ndaj shoqërisë dhe komunitetit që mund të rrezikohet nga mungesa e ujit të pijshëm në rast se nuk shlyhen detyrimet ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje, e cila ka paralajmëruar ndërprerje të furnizimit me energji.
Akti normativ ka krijuar përplasjen e rradhës mes pushtetit vendor dhe atij qëndror në Durrës, një marrëdhënie mjaft e tensionuar që nga 2007 e në vazhdim, kryesisht për shkak të qëndrimeve politike dhe kokëfortësive në emër të tyre për të penguar veprimtarinë normale të kundërshtarit, ndërsa pësuesit e vërtetë të këtyre përplasjeve mbeten qytetarët, pushuesit, komuniteti në tërësi. Pavarësisht qëndrimeve dhe përplasjeve mes palëve, qytetarët, përfaqësues të të gjithë brezave presin me kërshëri të dinë axhendën e aktiviteteve të 100 vjetorit në qytet.
Po përveç cënimit të investimeve publike dhe pagave të rrezikuara të qindra punonjësve, heqja e 120 milion lekëve të rinj deklarohet zyrtarisht se do të ndikojë dhe në aktivitetet e parashikuara për këtë jubile tepër të rëndësishëm, që shumë qytetarë nuk do të kenë mundësi ta përjetojnë më, 100 vite më pas.
Sinjali është dhënë. Të gjitha institucionet që varen nga bashkia kanë marrë mesazhin e qartë që për arsye madhore, në këtë rast financiare, duhet të “qethin” shkurt aktivitetet e parashikuara dhe të zhvillojnë ato që kanë një kosto thuajse të papërfillshme ose zero. Megjithatë atmosfera premtohet që do të krijohet. Do t’i mungojë madhështia e kërkuar, pasi “pa para vështirë të realizohen aktivitetet e dëshiruara”, por aktivitete do të ketë përgjatë javëve në vazhdim. Atmosfera e vërtetë gjithsesi pritet të krijohet përmes një ceremonie festive dy ditë para shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Pikërisht atëherë, 100 vite të shkuara, më 26 nëntor 1912, ngritja e flamurit në Durrës do të përmbushte porosinë e plakut të mençur e të nderuar Ismail Qemalit, që qyteti bregdetar ta shpallte pavarësinë dhe të zgjidhte delegatët e kuvendit kombëtar të Vlorës para se një pushtues të zëvendësohej me një tjetër, para se ushtritë serbe të hynin në qytet dhe të vendosnin fatet e kombit me forcën e armëve.
Kanë kaluar 10 dekada që atëherë dhe ndërsa vendi zien nga festimet dhe garën e qyteteve që do e përkujtojnë më madhërishëm këtë festë, Durrësi nuk ka ende një listë të aktiviteteve konkrete që do të zhvillohen me këtë rast.
Dako: Do e festojmë 100 vjetorin, por me kufizime
Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako pranon situatën mjaft të vështirë financiare, pas kalimit të grantit qeveritar për llogari të ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ndërsa pranon se do të ketë festime për 100 vjetorin e pavarësisë, por jo në përmasat e parashikuara më parë, ai shprehet se rroga e muajit dhjetor për të gjithë punonjësit e administratës në varësi të bashkisë rrezikon të mos shpërndahet. Fondi i parashikuar për pagat e nëntorit do të prekë investimet, shërbimet publike dhe aktivitetet kulturore.
Punonjësit e bashkisë janë përfshirë nga pasiguria për marrjen e pagave për muajt në vazhdim, ndërsa muaji paraardhës është paguar me vonesë. Ku qëndron problemi dhe çfarë po bëni për ta zgjidhur?
Qeveria me anë të aktit normativ që në mënyrë të paligjshme e kaloi dhe në parlament prek buxhetin e bashkisë së Durrësit duke i marrë 120 milion lekë të rinj, para që qeveria ia jepte bashkisë në fillim të vitit që ajo të paguajë pagat për punonjësit. Në kushtet kur ne (bashkia) nuk e kemi marrë ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve sh.a., por ajo është një ndërmarrje që varet nga Ministria e Ekonomisë qeveria ndërhyri te buxheti ynë duke na i marrë padrejtësisht këto para. Pra, këto para të planifikuara nga pushteti qëndror që në fillim të vitit dhe që ne i kishim planifikuar për rroga, në tremujorin e fundit të këtij viti na i mori. Kështu bashkia nuk pati para për të paguar punonjësit për punën që bëjnë. Jemi të detyruar që paratë nga të ardhurat tona e të planifikuara për investime apo aktivitete të ndryshme kulturore që në hartimin e buxhetit t’i kalojmë në funksion të pagave. Është plotësisht e paligjshme të fusësh duart në arkën e bashkisë për të shlyer borxhet e ndërmarrjes së ujësjellësit që nuk është në varësi të bashkisë. Kjo është shkelja më e rëndë që mund t’i bëhet pushtetit vendor që është i pavarur.
Kjo zgjidhje do të ndiqet edhe për muajt e tjerë të këtij viti e në vazhdim?
Muajt e tjerë janë në rrezik, pasi jemi në limitet e realizimit të të ardhurave tona dhe nuk e dimë nëse do të jemi në gjendje t’i paguajmë punonjësit për muajin dhjetor apo jo. Shpresojmë që deri në nëntor me një planifikim që kemi bërë të mund t’i japim pagat, ndërsa muaji dhjetor e më tutje është i rrezikuar vërtet.
Ju keni pasur një korrespondencë me Qeverinë mbi situatën e krijuar dhe pasojat e saj?
Sigurisht, kemi pasur një korespondencë me Ministrinë e Financave. I kemi dërguar shkresa, por edhe një telegram kryeministrit për situatën dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Përgjigjja ishte miratimi në Kuvend i aktit normativ.
Domethënë nuk ka asnjë shpresë për zëvendësimin qoftë dhe të pjesshëm të fondit?
Nuk ka asnjë shpresë dhe kjo situatë do të ndikojë dhe në vitin e ardhshëm. Ajo ndërmarrje nga keqmenaxhimi për vit do të hyjë në borxh dhe do të gjehet dhe vitin e ardhshëm bashkia për të shlyer borxhin e një ndërmarrjeje që nuk varet nga bashkia dhe menaxhohet shumë keq.
Kjo situatë prek investimet publike?
Pa diskutim. Këto janë paratë. Ose do të paguash rroga, ose do të bësh investime, ose do të lash borxhet. Mesa duket qeveria e ka vendosur pushtetin vendor para faktit të kryer që duhet të shlyejë CEZ-in për llogari të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve.
Jemi në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë. A ka planifikuar bashkia e Durrësit aktivitete në këtë kuadër?
Gjithçka është e lidhur me financat. Në momentin që na janë prekur 1 miliard e 200 milion atëherë do të na duhet ta bëjmë buxhetin nga e para, sepse na janë hequr rreth 20 përqind e të ardhurave, kështu që jemi të detyruar të prekim edhe aktivitetet kulturore, edhe investimet publike e shërbimet. Është 100 vjetori dhe duhet patjetër të kemi një atmosferë dhe sa më shumë aktivitete, po pa para nuk mund të bëhet asgjë. Do të rishikojmë buxhetin dhe më pas mund të japim një përgjigje më të saktë. Po dëshira dhe vullneti është ta festojmë 100 vjetorin, të mos e lëmë qytetin pa festë, sepse Durrësi më 26 nëntor ka pritur Ismail Qemalin dhe flamuri është ngritur për herë të parë në Durrës, kështu që jemi të detyruar më shumë se çdo qytet tjetër të festojmë këtë festë dhe do të përpiqemi ta festojmë sa më denjësisht, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga qeverisja qendrore.
Aktivitete të planifikuara nuk ka ende?
I kemi patur të planifikuara, po tani duhet t’i rishikojmë në funksion të buxhetit dhe ndryshimeve të pësuara në të, por aktivitete dhe atmosferë festive ju premtoj se do të ketë.
Vangjush Dako
Në momentin që na janë prekur 1 miliard e 200 milion atëherë do të na duhet ta bëjmë buxhetin nga e para, sepse na janë hequr rreth 20 përqind e të ardhurave, kështu që jemi të detyruar të prekim edhe aktivitetet kulturore, edhe investimet publike e shërbimet. Është 100 vjetori dhe duhet patjetër të kemi një atmosferë dhe sa më shumë aktivitete, po pa para nuk mund të bëhet asgjë. Do të rishikojmë buxhetin dhe më pas mund të japim një përgjigje më të saktë. Kemi dëshirë ta festojmë 100 vjetorin
Igli Cara
Reagimi i Dakos ndaj aktit normativ është i dëshpëruar, pasi e nxjerr administratën bashkiake dhe strukturat e saj zbuluar në lidhje me realizimin e të ardhurave, kryesisht të siguruara nga mbledhja e taksave të biznesit të vogël, si dhe taksave të qytetarëve. Bashkia e Durrësit është aksioneri kryesor i UKD-së dhe si e tillë ka detyrime ndaj shoqërisë dhe komunitetit që mund të rrezikohet nga mungesa e ujit të pijshëm në rast se nuk shlyhen detyrimet ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje