Martesat me të huaj nuk kanë qenë një tabu në shoqërinë tonë madje në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur të rinj shqiptarë ndoqën studimet e larta në universitetet europiane ishin të shpeshta martesat me shtetase të huaja, kryesisht italiane. Fenomeni nisi të bëhej më dominues pas viteve të luftës, kur studentë shqiptarë u dërguan të studionin në Rusi dhe vende të tjera të bllokut komunist dhe atje u njohën e zgjodhën për bashkëshorte vajza ruse, hungareze, çeke, polake, bullgare etj.
Një pjesë e mirë e këtyre martesave pati fund të hidhur, pasi prishja e marrëdhënieve diplomatike mes regjimit komunist dhe vendeve të tjera të bllokut sovjetik u shoqërua me ndarjen e bashkëshortëve dhe largimin e të huajave drejt vendit të origjinës së tyre. Por pati dhe nga ato femra që nuk pranuan të ndaheshin dhe u qëndruan pranë bashkëshortëve. Në ato kohë qarkullonte nën zë shprehja e thënë nga njëra prej tyre, që kur ju kërkua të ndante burri tha: Unë nuk ndahem sa herë ndryshon politika.
Pas vetizolimit të Shqipërisë martesave të këtij lloji u erdhi fundi, por ato nisën sërish të lulëzojnë në vitet ‘90, kur pas hapjes së kufinjve, të rinjtë shqiptarë u shpërndanë nëpër botë, e në jo pak raste zgjodhën për bashkëshorte shtetase të huaja. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të jetojnë jashtë vendit, një pjesë janë kthyer familjarisht dhe jetojnë këtu duke u përpjekur të integrohen në një vend dhe në një shoqëri të ndryshme nga ajo, ku kanë jetuar deri pak vite më parë.
Nëse do t’u flasësh për fatin e shumë simotrave të tyre gjatë regjimit komunist shumë prej tyre ndoshta nuk do ta besojnë apo do t’u duket absurd. Fatmirësisht ato jetojnë në një kohë, kur politika nuk dikton më se me kë duhet të martohesh apo të ndahesh.
Ndërsa po përpiqesha të gjeja çifte të reja që vinin nga martesa të përziera mësova se një djalë durrsak, i larguar që 18 vjeç nga Shqipëria ishte i martuar prej 11 vitesh me një shtetase amerikane dhe prej rreth 9 muajsh kishin ardhur të banonin në vendin tonë. Medliri dhe Aubrie janë një çift të rinjsh, që kanë zgjedhur të vijnë të kontribuojnë në shoqërinë shqiptare.
Ëndrra amerikane në Shqipëri
Kur i takon për herë të parë, Medliri dhe Aubrie nuk të japin përshtypjen se janë prindër të dy djemve, 7 dhe 4 vjeç. Ndoshta kjo vjen edhe prej faktit se janë martuar fare të rinj, atëherë kur vazhdonin universitetin dhe nuk kishin siguruar as shtëpi dhe as punë. Sapo bie fjala tek martesa Medliri lëshon menjëherë një apel për të rinjtë shqiptarë që të mos presin për t’u martuar kur t’i kenë rregulluar të gjitha gjërat, por të tentojnë të shkëputen shpejt nga familja dhe të krijojnë pavarësinë e tyre në jetë.
Aubrie kujton se e ka njohur djaloshin shqiptar në Siatëll, në vitin 2000 dhe menjëherë i ka bërë përshtypje kultura e gjerë që ai zotëronte. Kur e ka njohur me prindërit e saj, meraku i tyre i vetëm për djalin që i kishte rrëmbyer zemrën vajzës së tyre ishte politika. Medliri ishte demokrat, pra liberal, ndërkohë që ata ishin konservatorë.
“Fakti që ishte nga Shqipëria nuk ishte aspak pengesë, sepse familja ime jetonte në Ohio, e rrethuar nga një shoqëri e hapur, e gatshme të mirëpriste kultura të reja”,- thotë Aubrie. Medliri është rikthyer për herë të parë në qytetin e tij, Durrës, 6 vjet pas largimit. Ishte larguar me ndjekësit e fesë së tij mormone kur ishte vetëm 18 vjeç, ndërkohë që po rikthehej tashmë 24 vjeç dhe me një grua në krah. “Mamaja e kishte parë Aubrien vetëm në foto, por e mirëpriti menjëherë sapo e pata”,- rrëfen ai.
Aubrie kujton nga vizita e parë ngrohtësinë që i kanë ofruar shqiptarët kudo ku ka shkuar. Natyrë artisteje nga shpirti, por edhe në profesion Aubrie thotë se Shqipëria e ka bërë për vetë jo me arkitekturën e godinave, por me peisazhin e saj. Shqipërinë më tepër e përjeton, sesa e shijon. Kur vjen këtu nuk rri gjithë kohën me aparat në dorë duke shkrepur fotografi, por peisazhi dhe ajo që shoh më krijon emocion
Ndërkohë Aubrie nga ana e saj kujton nga ajo vizitë e parë ngrohtësinë që i kanë ofruar shqiptarët kudo ku ka shkuar. Natyrë artisteje nga shpirti, por edhe në profesion Aubrie thotë se Shqipëria e ka bërë për vetë jo me arkitekturën e godinave, por me peisazhin e saj.
“Shqipërinë më tepër e përjeton, sesa e shijon. Kur vjen këtu nuk rri gjithë kohën me aparat në dorë duke shkrepur fotografi, por peisazhi dhe ajo që shoh më krijon emocion”,- thotë ajo. Dashuria për vendlindjen e të shoqit e ka shoqëruar gjithnjë Aubrie, madje dhe vendimin për t’u kthyer në Shqipëri për të jetuar e kanë marrë së bashku. Një vit më parë, kur ende jetonin në Suedi ajo kujton se kishte marrë librat e klasës së parë dhe kishte nisur t’i mësonte djalit të saj të madh Luca, gjuhën shqipe. Kjo bëri që përshtatja e të voglit me ambientin dhe gjuhën shqipe të ishte e lehtë dhe e menjëhershme. Megjithëse ka vetëm pak muaj që jeton në Shqipëri Aubrie flet shqip dhe arrin të merret vesh shumë kollaj me njerëzit.
Integrimi në shoqërinë shqiptare
Pas shumë vitesh larg atdheut Medliri vendosi të rikthehej në vendlindje, por këtë herë së bashku me gruan e tij dhe dy djemtë. Siç shprehet vetë ai qëllimi i këtij rikthimi është për të kontribuar për të ndërtuar një shoqëri më të mirë. Motoja e fesë së tyre është të këqinjtë të kthehen në të mirë dhe të mirët të bëhen më të mirë. Nuk mund të flitet për qënie perfekte, por edhe nëse në kompleks nuk jemi perfekt, mund të jemi të tillë në disa aspekte.
“Për ta realizuar një gjë të tillë nuk është aspak e lehtë, për më tepër në një shoqëri në tranzicion si kjo e jona, por gjithsesi kushdo mund të kontribuojë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, për të dhënë ndihmën e tij në edukimin shoqëror të popullatës”,- thotë Medliri. Të njëjtën pikëpamje ndan edhe Aubrie, që mundohet me artin e saj ta shprehë më së miri këtë gjë. Këto ditë ka hapur në Lushnjë një ekspozitë personale dhe ka mbetur mjaft e kënaqur nga pritja e atjeshme.
“Në punimet në transparencë, me përjashtim të ngjyrës gri dhe të zezë, unë e kam evituar përdorimin e çdo lloj ngjyre tjetër. Zakonet, prirjet, tendencat dhe traditat funksionojnë brenda nesh në një nivel elementar dhe kontrasti midis së zezës dhe së bardhës nxjerr në pah këto nocione fillestare dhe primitive. Ndërkohë punimet e tjera i kushtojnë vëmendje kuptimit, me pikësynimin që të dërgohet një mesazh rilindjeje edhe aftësisë së secilit prej nesh të përmirësojë kushtet ekzistuese”,- thotë Aubrie për punimet e saj.
Ndërsa ka marrë vlerësime të shumta nga strukturat e pushtetit vendor dhe klubi i artistëve të qytetit ajo shprehet pak me keqardhje që në vendin tonë nuk i kushtohet një rëndësi më e madhe artit dhe kulturës.
Me një vëmendje të posaçme ndaj natyrës dhe ruajtjes së ekosistemit Aubrie përpiqet gjithashtu që përmes tablove të saj të lëshojë një sinjal dhe apel për njerëzit, përgjegjësit kryesorë për ruajtjen apo dëmtimin e saj. Për të ekspozita e parë personale në Shqipëri është më shumë se sa thjesht një studim i zakoneve dhe prirjeve tona.
“Ajo është një ftesë për të rishqyrtuar dhe ndoshta për të përcaktuar sërisht se kush jemi ne, kështu që të mund të bëhemi ajo që ne duhet të jemi, d.m.th një pjesë integrale dhe e dobishme e ekosistemit në të cilin ne bëjmë pjesë”,- thotë Aubrie. Mendimin e saj e plotëson edhe Medliri kur thotë se ajo çfarë vëren në realitetin shqiptar është mendësia kohëshkurtër që karakterizon pjesën dërrmuese të shoqërisë. “Pjesa më e madhe e pallateve dhe godinave që ndërtohen nuk bëhen duke pasur një vizion për të ardhmen, por duke dëshiruar vetëm maksimizimin e fitimeve brenda një kohe të shkurtër. Nuk mendohet për një arkitekturë më specifike dhe për materiale që i rezistojnë më mirë kohës”, thotë ai.
Si pasojë e kësaj amullie që karakterizon sektorin e ndërtimeve, ndikimi negativ në insfrastrukturën jo vetëm të qyteteve, por edhe vijës bregdetare ka dëmtuar jo pak ekosistemin.
Por pavarësisht problematikave më të cilat përballen në realitetin shqiptar, këta dy të rinj i kanë idetë e qarta. Do të përpiqen të japin kontributin e tyre modest për të përmirësuar shoqërinë shqiptare dhe për t’u bërë pjesë e debatit shoqëror në vend.