Ka shpërthyer fort zemërimi i të persekutuarve politik të përfshirë në grevën e urisë duke lëshuar një sërë akuzash ndaj qeverisë, kryeministrit Sali Berisha dhe themeluesve të PD-së. Kreu i grevës së urisë së 15 të burgosurve politik të regjimit komunist, Skënder Tufa, e ka lidhur çështjen e zvarritjes së dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe të të burgosurve të para viteve ‘90 me misionin, sipas tij, të kapërdinave (kapotave) të bardha për të rrënuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.

Tufa ka pohuar se qeveria në mënyrë të qëllimtë ka zvarritur dëmshpërblimin e të burgosurve dhe të dënuarve politikë të regjimit komunist. Pikërisht kjo zvarritje, e cila e ka çuar këtë shtresë drejt humbjes së besimit tek kryeministri Berisha dhe qeveria aktuale, e ka shtyrë përfaqësinë e tyre të shkojë drejt grevës së urisë dhe sakrificave të veçanta. Tufa ka bërë të qartë se ligji ka përcaktuar që dëmshpërblimi duhej të mbyllej në 8 vite dhe të dënuarit duhet të merrnin shumat e përcaktuara me ligj në tetë këste.

Aktualisht kjo kategori, sipas Tufës, ka marrë vetëm një këst në një kohë që duhej të kishte përfunduar edhe kësti i katërt. Ata e kanë drejtuar gishtin tek kryeministri shqiptar, kryetarja e Kuvendit dhe Ministria e Financave, të cilët nuk zbatojnë ligjin për dëmshpërblimin e të dënuarve politik. 

Greva

Greva e të ngujuarve të urisë zhvillohet në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë dhe në të marrin pjesë 25 ish të dënuar të regjimit komunist. Kryetari i grevës së urisë të të dënuarve politik në Shqipëri, Skënder Tufa ka bërë të ditur se arsyeja e vetme e vendimit për të shkuar drejt ngujimit është bërë zvarritja e dëmshpërblimit ekonomik e financiar të shtresës së të persekutuarve.

Mosha e pjesëmarrësve në grevë varion nga 45 deri në 82 vjeç. Shumë prej tyre kanë vendosur të jenë pjesë e këtij akti sublim edhe pse vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore. Ata janë mbajtur nën vëzhgimin e mjekëve, ndërsa problemet të cilat kanë pasur të bëjnë me luhatjet e tensionit, sëmundjet kardiake, frymëmarrjen janë ndjekur me shumë kujdes. Grevistët janë transportuar disa herë për në spital për të marrë ndihmën e kualifikuar mjekësore pas ndërlikimeve shumë serioze që kanë pasur me zemrën, mushkëritë dhe humbjen e ekuilibrit, pasojë e mosushqyerjes për shumë ditë me rradhë.

Ata janë vizituar nga krerë të lëvizjeve politike dhe përfaqësues të diplomacisë së huaj në Tiranë. Të ngujuarit janë vendosur në një çadër të sajuar nga ata vetë dhe ku është mëse e dukshme mungesa e theksuar e kushteve më minimale. Ish të burgosurit politik nuk kanë pasur asnjë përkujdesje për të zhvilluar një greve sipas standarteve dhe kjo është vënë re që në mungesën e ekipit mjekësor në ditët e parë dhe deri në presionet e shumta dhe konfrontimet fizike që të ngujuarit dhe përfaqësues të tyre kanë pasur me persona të shtyrë nga segmente të klaneve të ndryshme.

Tufa, në cilësinë e kryetarit të grevës, ka pohuar se në bazë të ligjit numër 9831, të vitit 2007, neni 32 kjo kategori e dhunuar në vitet e regjimit komunist do të përfitonte dëmshpërblim në vlerë monetare në tetë këste duke nisur nga viti 2009. Pas dhënies së këstit të parë, qeveria tkurri dorën duke mos respektuar dhe moszbatuar ligjet e miratuara në parlament. Pas vitit 2009 të dënuarit politik dhe të persekutuarit e ndërgjegjes kanë bërë disa përpjekje për të marrë atë që u ka takuar me ligj, por janë ndeshur në kundërshti të shumta e të ndryshme. Qeveria ka nxjerrë një sërë VKM të cilat kanë sfumuar ligjin e Parlamentit në dëm të shtresës së të persekutuarve. Tendenca e ekzekutivit për të dalë mbi ligjvënësit është parë si një veprim jodemokratik.

Tufa thotë se “Ekzekutivi nuk mund të dalë mbi ligjet e Parlamentit, ndryshe kemi të bëjmë me krijimin e një shteti diktatorial”. Me vendim numër 419, neni 4, qeveria ndërhyn në ligjin e mësipërm, sipas Tufës, duke “sofistikuar” këtë ndërhyrje. Konkretisht në këtë vendim është cilësuar dhënia në tetë këste, ndërsa është hequr dëmshpërblimi në një hapësirë kohore prej 8 vitesh. Kjo ka sjellë reagime të forta, të cilat u konkretizuan me ngujimin në grevë urie.

Ish të burgosurit ndihen të fyer

Kryetari i grevistëve thotë se qeveria ka lozur me fatin e ish të burgosurve dhe të dënuarve politik. “Një vendim qeverie thoshte të dëmshpërblehen fillimisht të sëmurët me kancer, pastaj ata që kanë mbi 80 vite e kështu me rradhë duke iu shmangur hapur ligjit të vitit 2007. Fillimisht qeveria dhe opinioni qytetar grevën e ish të dënuarve politik e mori si veprim jo shumë imponues, por në kohën që i dënuari politik Gjergj Ndreca u vetflijua duke ia vënë zjarrin vetes, gjërat nisën të shihen me tjetër sy”,- thotë Tufa.

Organizatorët kanë bërë të gjitha përpjekjet për të bindur shtresën e tyre të mos përfshihen në grevë uriepër shkak të mungesës së kushteve elementare. Grevistët pohojnë se qeveria nuk është marrë fare seriozisht me këtë shtresë në këto 7 vite. “Kjo shtresë është fyer e rrahur, qeveria po tallet me ne. Kjo qeveri ka uzurpuar pushtetin dhe ka kthyer në vend rendin diktatorial.

Dëshmi më e qartë është përfshirja e ish të burgosurve politik në grevë urie”,- tha Skënder Tufa. Sipas tij, qeveria, për të zvarritur dëmshpërblimin, ka kërkuar nga shtresa e të persekutuarve dhe të burgosurve të regjimit komunist të bëjnë dokumentet. Kreu i grevës ka bërë të ditur se shumë prej të dënuarve jetojnë në varfëri të plotë dhe nuk kanë as mundësinë më të vogël të enden në dyert e shtetit. “Jemi shtresa më e persekutuar në këtë kohë, shumë prej nesh nuk kanë as punë e as strehë, ndërsa e vetmja mundësi për të mbijetuar ka qenë marrja e dëmshpërblimit”,- ka thënë Tufa.

Revolta e tyre ka shpërthyer teksa kanë akuzuar rëndë kryeministrin dhe eksponentë kryesorë të shtetit e politikës si elementë të rekrutuar nga shërbimet e huaja. “Gjithë ata që kanë qenë në formimin e PD-së që u krijua në shtëpinë e Josif Pashkos, kryekriminelit që vrau me qindra njerëz, kanë qenë agjentë të fjetur. Këta persona për 21 vite me rradhë kanë zbatuar vendimet e Katovicës duke sulmuar pronarët dhe të përndjekurit politik”,- është shprehur kryetari i grevës së të dënuarve politik.

Sipas tij qeveria dhe vet kryeministri janë përgjegjës për mospërfshirjen e shtresës së të dënuarve politik në kabinetin qeveritar. “Berisha dhe PD është prezantuar me kapërdinat e bardha që ishte edhe plani B i Sigurimit të Shtetit që punoi me agjenturat e huaja”,- deklaroi Tufa.

Me jo pak përgjegjësi kanë ngarkuar grevistët edhe Institutin e ish të Përndjekurve Politik krerët e të cilit nuk e kanë mbështetur grevën duke mbajtur anën e qeverisë. Ky qëndrim është justifikuar me faktin se kreu i institutit nuk zgjidhet nga të dënuarit politik, por emërohet nga kryeministri.

Në grevë kanë marrë pjesë fillimisht 25 të dënuar politik por për shkak të mungesës së kushteve, vendit shumë të ngushtë dhe gjendjes tepër të rëndë të grevistëve numri u reduktua në 15 të dënuar politik.

Në çadrën e grevistëve të binte në sy morali i lartë dhe besimi që ata kishin se do e fitonin të drejtën. Grevistët Gjergj Ndreca, Ramazan Spahiu, Afrim Biturku, Lirak Bejko, Fatmir Lloshi, Perikli Shqevi, Kujtim Kaziu, Arif Beu, Lavdosh Beqo që në krye të herës janë deklaruar se janë gati të vetflijohen dhe i pari i dënuar që ka shkuar drejt këtij akti ekstrem ka qenë i dënuari politik Gjergj Ndreca.

Edhe 82-vjeçari Lavdosh Beqo nga Vlora i cili ka udhëtuar nga Franca për t’iu bashkëngjitur grevistëve ka thënë se do të kryejë akt sakrifikimi nëse shteti do të mbajë të njëjtin qëndrim apo do të mashtrojë edhe pas grevës të dënuarit politik.

Shumë subjekte politike dhe trupi diplomatik në Tiranë kanë ndjekur me vëmendje grevën si dhe qëndrimin zyrtar lidhur me dëmshpërblimin. Ndërkohë kreu i grevës ka bërë të ditur se qeveria dhe PD nuk janë treguar të gatshëm të marrin në konsideratë ankesën dhe kërkesën e kësaj shtrese, e cila ka qenë mbështetësja kryesore në të gjitha vitet si elektorat i palëkundur i PD-së.

Deklarata për grevën

Sali Berisha: Në Shqipëri janë 10 700 dosje dhe në mënyrë absolute barazia para ligjit do të jetë e hekurt për të gjithë. Unë u them atyre se jashtë radhe, pse ju mbështet Partia Socialiste, nuk do të mund të kaloni kurrë! Po të doni për jashtë radhe, priteni kur të vijë në pushtet se do të merrni ato që morët

Edi Rama: Jeta nuk ka qenë aspak bujare dje dhe është sot më cinike se kurrë me ata të burgosur politikë që janë në rrugën e një përpjekje të stërmundishme, deri në akte që dëshmojnë, nga njëra anë dëshpërimin e një shtrese të tradhtuar, pasi është tallur për 20 vjet me radhë dhe nga ana tjetër shkallën e arrogancës së këtij pushteti, që nuk gjen jo në mendje, por as në zemrën e vet asnjë arsye së paku për t'i dëgjuar edhe për të folur me ta si njerëz

Bamir Topi: Dëshiroj të shpreh solidaritetin njerëzor me grevistët e urisë, të shpreh keqardhjen për aktet e sakrificës dhe t'i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë zotit Ndreca dhe zotit Bejko. Eshtë rasti të apeloj organet përgjegjëse, Qeverinë dhe Parlamentin, të ndërhyjnë pa vonesë, të ulen në dialog të gjejnë zgjidhje sepse kjo rrugë është detyra e tyre ligjore, është detyrim moral dhe është standard demokracie.

Kujtim Kaziu

Dy muaj punë, dhjetë muaj pa punë

Kujtim Kaziu është një tjetër i dënuar politik që i është bashkëngjitur grevës. Në burgjet e dikaturës ka hequr plot dhjetë vite ku veç vuajtjeve e torturave është dashur të përballet edhe me shkatërrimin e familjes nga regjimi komunist. Sot Kaziu jeton me qera në një banesë në Durrës, ndërsa është i papunë dhe në vështirësi ekonomike. “Kam tre fëmijë dhe jetojmë si mos më keq, me qira dhe në varfëri. Nuk ka punë dhe as që ka menduar njeri për të na punësuar as para 20 vitesh dhe as tani”,- thotë ai. Kujtimi ka marrë vetëm një kest, ndërsa ka dëgjuar se Ministria e Financave e ka përfshirë në listën e personave që kanë marrë edhe këstin e dytë. “Nuk është e vërtetë. Nuk kam marrë veçse një këst. Tani duhej të kishim marrë për herë të katërt”,- tregon ai duke thënë herë pas herë se qeveria ka manipuluar opinionin. Gjatë këtyre viteve të mbijetesës Kaziu ka bërë punë sezonale, pasi në asnjë rast nuk ka gjetur mbështetje nga shteti. “Kemi trokitur në zyrat e shtetit, por ata na kanë nxjerrë jashtë pa asnjë shpresë. Nuk ka punë për ne”,- është shprehur Kaziu. Edhe pse nuk i ka bërë bisht punës nuk ka mundur të sigurojë bukën për familjen. “Dy muaj punë, dhjetë pa punë”,- pohon ai ndërsa tregon se nuk ka gjetur as më të voglën përkrahje a mbështetje nga pushteti lokal apo ai qëndror si shtresë e vuajtur. Gjatë grevës ai si dhe shumë të tjerë kanë shfaqur probleme të theksuara shëndetësore. Gjendja e rënduar psikologjike në këto 20 vite kanë ndikuar në shëndetin e tyre por edhe në gjendjen emocionale. Kaziu thotë se janë zhgënjyer plotësisht nga mënyra se si është trajtuar shtresa e të dënuarve politik. Sot ai jeton me gruan e tre fëmijë në një banesë me qira, lekët e së cilës nuk ka mundësi t’i shlyejë. “Hyra në grevë urie së bashku me bashkëvuajtësit e mi për të sensibilizuar opinionin dhe qeverinë në të drejtën që kemi për të marrë dëmshpërblimin”,- thotë ai duke pohuar se kërkesat e tyre janë tërësisht ekonomike. Gjatë ditëve të qëndrimit ata kanë shfaqur probleme kardiake, luhatje tensioni, marrje mendsh, aritmi, humbje të kujtesës dhe të tjera shenja të shkaktuara nga pagjumësia, mungesa e ushqimit dhe kushtet e vështira. Megjithatë si Kaziu edhe të tjerët kanë deklaruar se kjo është e vetmja rrugë për të shpresuar se do ta detyrojnë qeverinë të ndryshojë qëndrimin e saj.

Vllasi Koçi

Shteti na përbuzi dhe na mashtroi

I dënuari politik Vllasi Koçi ka ardhur nga Vlora për të hyrë në grevë. Në regjimin e kaluar ka vuajtur 13 vite burg nën akuzën e agjitacionit e propagandës dhe tentativës së arratisjes. Koçi ka thënë se nga 90 milion lekë që i takojnë ka marrë vetëm një këst. Ai pohon se ka marrë edhe një letër me vlerë të cilën e ka dorëzuar në shoqatën e të dënuarve politik në Vlorë, pasi u është thënë se do të privatizojnë kriporen e qytetit. “Si na i dhanë, na i morën duke na mashtruar rëndë”,- shprehet ai. Koçi thotë se nuk ka strehë, punë dhe as përkrahje dhe se jeton në shtëpinë e nënës së tij 94-vjeçe së bashku me gruan e fëmijët. “Kërkojmë të respektohet ligji dhe asgjë më shumë”,- deklaron ish i burgosuri. Ai dhe grevistët e tjerë kanë akuzuar kryeministrin Berisha si shkaktarin kryesor të gjendjes së rëndë ekonomike të shtresës së të dënuarve. “Si nuk paska qeveria lekë për të na dhënë në një kohë që Berisha dhe njerëzit rreth tij pasurohen çdo ditë”,- shprehet ai. Më tej Koçi pohon se ai dhe të gjithë të dënuarit politik shihen me përbuzje nga administrata e shtetit. Këtë e konkretizon në takimet që ka pasur për të kërkuar punë, asistencë, ndihmë ekonomike apo edhe çertifikatë. “Na shohin shtrembër dhe me përbuzje në çdo zyrë të shtetit”,- thotë Vllasi Koçi. Ai rendit një nga një zyrat, administratorët, politikanët, deputetët dhe ministrat që ka takuar. Të gjithëve u ka bërë të ditur statusin e të dënuarit politik dhe u ka kërkuar mbështetje ligjore. Por nga pala tjetër, sipas tij, nuk ka marrë as përgjigjen më të vogël duke bërë që ai dhe e gjithë shtresa e të persekutuarve të humbin gradualisht shpresat.

Arif Beu

Mbaj familjen me 4 mijë lekë në muaj

Ish i dënuari politik në grevë urie, Arif Beu, ka pohuar se familja e tij mbahet me 4 mijë lekë në muaj. Ai është dënuar për tentativë arratisje dhe ka qenë fare i ri asokohe, ndërsa tani ka qenë pjesë e grevistëve në përpjekje për të ndërgjegjësuar shtetin të nisë dhënien e kësteve të tjera të dëmshpërblimit. “Për ne nuk ka pasur punë asnjëherë në këto 21 vite”,- deklaron Beu. Për disa vite rresht ata kanë pritur se do të gjejnë zbatim premtimet e qeverisë por sot Arifi thotë se “të gjitha ishin përralla me mbret”. Kreyfamiljari Arif Beu mban frymën e fëmijëve, të tijën dhe të gruas me 4 mijë lekë dhe ndihmat që i japin të afërmit, në një kohë që mund të dalë nga kriza e rëndë nëse do të marrë dëmshpërblimin e përcaktuar në ligjin e Kuvendit. “Vjen elektriku e më pret dritat. Sa ikin unë i lidh. Kështu bëjmë herë pas herë. Nuk kam lekë të blej ushqime e jo më të paguaj dritat”,- pohon ai. Për grevistin qëndrimi i kryeministrit ka qenë shumë i padenjë. “Vet e kanë miratuar në parlament ligjin për dëmshpërblimin pa asnjë votë kundër. Nëse nuk ka lekë pse nuk ulet me ish të dënuarit politik e të thotë se qeveria nuk ka lekë, apo pret ta ulin ndërkombëtarët”,- u shpreh Arif Beu. Ai thotë se e ka çuar disa herë në mendje për të ikur klandestin, por e ka të pamundur për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara në vitet e heqjes së dënimit në hetuesi e burgje.