Nga hyrja dy e portit të Durrësit e deri në Currila as makina e zjarrfikësës, as autombulanca e as makina e funeralit në disa raste, nuk e çajnë dot trafikun e rënduar.   

Alarmi i dhënë për një zjarr tek dy kullat binjake, në “Shëtitoren Taulantia” ka bërë që një automjet zjarrfikës të niset me urgjencë për në vendin ku u lajmërua për zjarr. Por zjarrfikësja duhet më parë të kalojë “provën e zjarrit” në një pjesë të këtij aksi rrugor nga banka deri tek sheshi para kullave binjake.

Edhe pse me fenelina dhe sinjal të ndezur nuk mund t’i hapë dot askush rrugë, pasi aksi në fjalë është ngushtuar edhe më shumë për shkak të punimeve në projektin “Veliera”.

E njëjta situatë është edhe për autoambulancat, të cilat duhet të presin në trafik derisa t’u lirohet rruga.

Fatmirësisht alarmi i dhënë për zjarr rezultoi fals, ose u bë për të verifikuar kohën që i duhet zjarrfikësve për të mbërritur në vendngjarje.

Edhe në kthim, zjarrfikësja u përball me trafik të rënduar.

Prej orës 07.00 të mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes, ky është një prej akseve rrugore më të rënduara në qytet.