Një vizitë nga Ambasadori Christoph Graf u krye sot në Shijak ku u prezantua një strategji për zhvillimin e territorit, e cila u diskutua me grupe interesi. Në diskutime me kryebashkiakun Ardian Kokomani, stafin e bashkisë, përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ekspertë, çështjet kryesore ishin planet e zhvillimit për bashkinë e zgjeruar të Shijakut dhe progresin e bërë në infrastrukturën urbane dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të ndërtoni një vision strategjik për zhvillimin e kësaj bashkie, dhe këtë ta bëni duke marrë parasysh pikëpamjet dhe zërat e komuniteteve. Përfshini burime dhe ndërtoni partneritet me të gjithë të interesuarit – publik dhe privatë, vendor dhe qendrorë, çdo institucion ose grup që mund të ndihmojë Shijakun, dhe të përfitojë nga progresi”, tha Ambasadori Christoph Graf. Ai e mbylli me një thirrje për konsultime me publikun: “Dëgjojeni komunitetin tuaj, komunikoni me qytetarët, dhe ndiqeni këtë me punë. Dhe më pas, vazhdojeni punën”.

Kryebashkiaku Kokomani falënderoi delegacionin zviceran dhe prezantoi progresin e bërë nga bashkia e tij në lidhje me përmirësimet në infrastrukturë, sfidën me rrezikun e përmbytjeve, dhe çështjen e menaxhimit të mbetjeve.

Stafi i bashkisë prezantoi strategjinë për zhvillimin e territorit dhe konceptin e ‘zonave funksionale’ që e sheh rajonin në dritën e mundësive ekonomike dhe sociale dhe jo thjesht si njësi administrative. Një nga projektet nën këtë metodë është planifikimi i menaxhimit të mbetjeve, i financuar përmes programit dldp dhe me kontribut nga bashkia. Projekti që zbatohet nga Milieukontakt do t'i japë bashkisë Shijak bazën për ndërhyrje dhe investime të ardhshme në menaxhimin e mbetjeve.

Të pranishëm në event ishin rreth 30 përfaqësues nga grupet e interest, biznese dhe qytetarë. Pjesëmarrja në konsultime të hapura dhe publike është një nga praktikat kyçe të prezantuara nga programi zviceran për decentralizimin, dldp.

Pas diskutimeve në sallën e bashkisë, delegacioni vizitoi fshatin Hardhishte ku një grup studentësh organizuan një operacion pastrimi dhe informimi mbi grumbullimin e mbetjeve dhe zgjidhjet mjedisore. Ky aktivitet u mbështet nga dldp dhe bashkia Shijak.