Plot 850 nxënës të klasës së parë mungojnë në shkollat e Durrësit në vitin arsimor 2015-2016. Deklarata “bombë” është bërë nga Observatori për të drejtat e fëmijëve, i cili ka sjellë një relacion në prefekturë, ku bëhet me dije se fëmijët për shkaqe të ndryshme ende të panjohura plotësisht, nuk janë regjistruar në shkollë e mungojnë në të. Ky relacion ka bërë bashkë drejtuesit e institucioneve të varësisë së katër ministrive, të Arsimit, Shëndetësisë, të Brendshme e të Mirëqënies Sociale.

Po ku janë nxënësit, cilat janë arsyet pse nuk janë regjistruar në shkollë? Eridjona Koca, përfaqësuese e Observatorit për të drejtat e fëmijëve, në një intervistë për “Durrës Lajm”, pohoi se nuk përjashtohen mundësitë që fëmijët të jenë larguar me familjet e tyre si azilantë ekonomikë, të kenë shkuar në rrethe të ndryshme të vendit, apo diku tjetër. Për mungesën e këtyre fëmijëve të ditëlindjes 2009 e 2010 u bie barra institucioneve të japin llogari pse fëmijët nuk janë në shkollë, dhe ku ata gjendjen aktualisht.

“Durrës Lajm” më herët, në muajin tetor raportoi për 716 fëmijë që ishin larguar si azilantë ekonomikë në vendet e BE-së, ku shpërndarja e fëmijëve të larguar ishte e barasvlershme prej shkollave në qendër të qytetit deri në zonat rurale. Ndjekim në video intervistën e përfaqësues së Observatorit për të drejtat e fëmijëve.