Kreu i bashkisë Vangjush Dako, ka 10 ditë në Kinë, e nuk e merr vesh se çfarë ndodh me qytetarët e tij në Durrës. Ata po copëtohen në radhë të gjata që nisin 1 javë para se të mbyllet muaji. Populli është i ngratë, çfarë të bëjë, do abone të hipë në autobus, nuk ka para të fluturojë me avion si kryetari që kanë zgjedhur.
Burra e gra, të çdo moshe, po sfiliten në syrin e të gjithë qytetit në sheshin “Pranvera” me orë të tëra, madje radha nis që në mbrëmje, në një situatë, që drejtoresha e shërbimeve publike, në mungesë të kryetarit të saj, duhet të kish gjetur një zgjidhje. Ose të vijë e të zërë radhë, ta provojë siç qëndrojnë aty, me qindra burra e gra, që janë prindërit e saj me moshë, që vuajnë vetëm për një abone!
Zërat e këtyre burrave e grave, prindër të shumë fëmijëve të këtij qyteti, që zënë radhë për abone, për të shkuar në punë por dhe për fëmijët e tyre nxënës shkolle, ankesat e tyre, lotët dhe djersa e tyre, janë një odise që po përsëritet çdo muaj.
Odisea kërkoi Itakën, duke luftuar me Cikllopin, përpos njëqind vështirësive të tjera, ndërsa qytetarët e Durrësit, kalojnë në 1 mijë vështirësi për të siguruar një karton të vogël aboneje. Nëse Odisenë e hodhën dallgët detrave, kreu i bashkisë Vangjush Dako e ka vënë popullin durrsak në radhë te miqtë e tij të afërt.
K.H.





