Efektivat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në Gjirokastër, kanë zbuluar 8,7 kg lëndë narkotike, të llojit Cannabis sativa, e cila ishte fshehur në autobusin e linjës Tiranë – Athinë. Sipas njoftimit zyrtar, lënda narkotike ishte e fshehur në dhomat e ajrimit të autobusit.

Pas kontrollit dhe zbulimit të lëndës narkotike, hetimet janë marrë përsipër nga specialistët kundër narkotikëve, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në Gjirokastër. Hetimet kanë nxjerrë në dritë faktin se ishin pikërisht dy shoferët e autobusit, shtetasit A. Sh., 47 vjeç, nga Berati, dhe K. Sh., 52 vjeç, nga Tirana, ata që kishin tentuar trafikimin e lëndës narkotike. Në këto kushte, uniformat blu kanë arrestuar dy shoferët, duke i akuzuar ata për trafik të lëndëve narkotike.