Një mësues gjimnazi, në Shënkoll të Lezhës, dhe dy persona të tjerë përfunduan në pranga, për shkak se shpërndanin lëndë narkotike në shkollë. Sipas Policisë së Shtetit, në Lezhë, mësuesi F. N., 46 vjeç, punonte si arsimtar në Shkollën e Mesme të Bashkuar "Llesh Nik Daka" dhe, me sa duket, nxënësve, përveç dijeve, u shpërndante edhe lëndë narkotike. Të paktën, këtë pretendon Policia e Shtetit, e cila sqaron se, përveç mësuesit, ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, përkatësisht S. Z., 24 vjeç, dhe P. Gj., 41 vjeç.
Operacioni, i koduar "Arbeit", bëri të mundur sekuestrimin e një sasie prej 340 cigare, brenda të cilave ishte kamufluar lënda narkotike marijuanë. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 555 doza lëndë narkotike, e dyshuar Cannabis sativa, 56 kubikë bimë narkotike, një automjet tip Mitsubishi, katër celularë dhe një armë gjahu me leje.





