Nga 75 mijë vetëdeklarime të kryera nga qytetarët në Durrës, për 15 mijë prej tyre kanë përfunduar procedurat e dhënies së lejeve të legalizimit. Rreth 12 mijë banorë kanë marrë certifikatë pronësie në ZRPP, deri tani. Procesi është ende shumë larg pritshmërive apo edhe parashikimeve të vetë drejtuesve, pavarësisht ritmeve të zyrës së ALUIZNI-t në Durrës. Për të përshpejtuar procedurat, dy institucionet kanë vendosur një marrëveshje bashkëpunimi.  

Merr fund sorollatja e qytetarëve sa tek ALUIZNI e sa te Zyra e Regjistrimit të Pasurive, për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë

Këto dy institucione, kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët të krijimit të një sektori brenda ZRPP-së, për dhënien e certifikatave të pronësisë, pa sorollatur qytetarët që janë pajisur me certifikatë legalizimi nga zyra e Durrësit dhe e Krujës. Të gjithë qytetarët do të aplikojnë në zyrën e ZRPP-së, ku sektori i ri do të ketë në përbërje specialistë të dy institucioneve.

Deklaratat janë bërë nga dy drejtuesit e institucioneve Flamur Gjuzi dhe Ani Dyrmishi, në një konferencë të përbashkët. ZRPP-ja ka përditësuar të gjitha hartat e pronësisë në blloqe, për Durrësin, Shijakun dhe në përfundim është edhe zona e Sukthit.  

Nuk dihet sa eficente do të jetë marrëveshja e bërë midis këtyre institucioneve, për të lehtësuar procedurat deri në marrjen e certifikatës së pronësisë.

K.H.