Një raport konfidencial i policisë franceze dhe shërbimeve sekrete ka zbuluar se në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ka një numër të kampeve terroriste me intensitet të ulët, aty rekrutohen njerëz dhe bëhen pjesëtarë të ISIS.

Edhe kamikazët e fundit në Paris dhe Belgjikë thuhet se kanë pasur qasje me këto kampe në Shqipëri, Kroaci e Bullgari. Po ashtu, sipas këtij raporti, Salah Abdeslam dhe terroristë të tjerë kishin karta telefoni sim të Shqipërisë e Kroacisë.

Në dokumentet e shërbimit të inteligjencës franceze thuhet se terroristët kanë pasur dy telefona “Samsung”, dhe në njërin nga ta kishte kartë telefoni të Shqipërisë e në tjetrën të Kroacisë, shkruan “Klan Kosova”.

Ku dhe si janë blerë kartat e telefonit, kjo nuk është bërë e njohur ende. Po ashtu nuk dihet nëse terroristët ishin vetëm kalimtarë në këto shtete, kur i kanë blerë kartat.

Po ashtu raporti tregon dhe për korrespondencat e policisë franceze me “Samsung” dhe “Google”. Nga dokumentet po ashtu është mësuar se Hasna Ait Bulacen, një i afërm i njërit prej terroristëve të cilët vdiqën gjatë sulmit në Saint-Denis afër Parisit, disa herë ka folur me një numër telefoni celular në Kroaci.