Një 38-vjeçar në Elbasan ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Rinia", jashtë një lokali. Autorët, që udhëtonin me një automjet tip BMW, kanë qëlluar disa herë ndaj shtetasit Q. A., 38 vjeç, me banim në Elbasan. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të qendrës së qytetit. I plagosuri është dërguar menjëherë drejt spitalit, ku i është nënshtruar një ndërhyrje operatore. Sipas mjekëve, një plumb e ka marrë në kofshë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e Policisë së Shtetit, të cilat rrethuan zonën përreth. Në cilësinë e provës materiale janë gjendur disa gëzhoja fishekësh. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe në akset kryesore të qytetit me synimin për të identifikuar dhe kapur autorin. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje. Sipas dëshmitarëve okularë autorët nuk kanë zbritur nga makina, por kanë qëlluar nga brenda saj në drejtim të 38-vjeçarit dhe më pas janë larguar me shpejtësi.





