Janë zbuluar sot materiale arkeologjike, që me shumë gjasë janë të qytetit antik të Onezmit, vendbanimi i lashtë mbi të cilin është ndërtuar Saranda e sotme. Zbulimi u krye gjatë kohës që punohej për rrjetin e brendshëm të ujësjellësit në qytetin e Sarandës.
Mësohet se dy trakte muri u zbuluan gjatë hapjes së një kanali të ri për instalimin e një tubacioni të ujit të pijshëm, në afërsi të një sfere romake afër bregdetit. Kompania sipërmarrëse që është duke zbatuar projektin ka ndërprerë punimet në atë pjesë të kanalit për t’u krijuar mundësi specialisteve arkeologë për shqyrtimin e vlerave të mundshme të fragmentit të rrënojave antike.





