Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka paditur në Gjykatën Kushtetuese Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë për vonesën prej më shumë se një viti të nxjerrjes së akteve nënligjore të ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Në një prononcim për mediat, Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, thotë se mungesa e këtyre akteve do të prekë në uljen e pagës mbi 2 000 efektivë.

"Ky vakum ligjor e bën ligjin të pabzatueshëm. Rasti më flagrant për këtë është heqja nga 1 marsi i gradës së kryeinspektorit dhe nëninspektorit. Heqja e këtyre gradave përkon me uljen e pagës me 12 për qind për rreth 2 000 punonjës që e kanë gradën e kryeinspektorit," – tha Fishta.

Mungesa e akteve nënligjore prej më shumë se një viti i ka mohuar edhe përfitime të tjera punonjësve të Policisë së Shtetit. "Këto akte janë të gjitha përfitime financiare. Punonjësit që kanë 25 vjet punë duhet të kishin marrë shtesë page 25 përqind që nga 1 marsi, si dhe kredi me 3 përqind, sepse kështu e ka ligji. Familjarët e policëve të vrarë, për të cilët nuk ka dalë vendimi i Këshillit të Ministrave, duhet të kishin marrë shtëpi falas, – shton Fishta.