Eshtë vënë në funksionim kanali vaditës i Grishajt, në Koplik, një kanal 14 kilometra i gjatë, i cili është vazhdim i kanalit të Shtodrit, në zonën e Malësisë së Madhe. Investimi për rehabilitimin tërësor të kanalit vaditës, i cili u realizua në kuadër të programit të qeverisë për vaditjen dhe kullimin, do të sjellë përmirësimin e ujitjes në rreth 3 300 ha tokë bujqësore të zonës së Mbishkodrës.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave Edmond Panariti dhe përfaqësues të pushtetit vendor të zonës, ishte sot në Malësinë e Madhe për të parë nga afër punimet e realizuara në këtë projekt madhor.

Kryeministri Rama u shpreh se projekti për ujitjen i ndërmarrë nga qeveria shqiptare është më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë për vaditjen dhe kullimin. "Është projekti më i madh që është bërë ndonjëherë për ujin, qoftë për vaditjen, qoftë për kullimin. I ndarë në dy pjesë, një pjesë e ka qeveria nëpërmjet bordeve të ristrukturuara të kullimit… dhe pjesën tjetër me bashkitë. Po bëjmë gati edhe një flotë të re komplet për ujitjen dhe kullimin, flasim për mjete të motorizuara. Do bëjmë faktikisht të mundur që këtë vit të kemi një zgjidhje thuajse përfundimtare të këtij problemi, sidomos në zonat ku ka më shumë zhvillim intensiv bujqësia," – tha kryeministri Rama.