Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vizituar tre policet bashkiake, Doriana Kolgjini, Sonila Azemi dhe Ludina Sinani, të cilat u lënduan fizikisht gjatë protestës së Partisë Demokratike kundër këndit të lojërave për fëmijë në kodrat e Liqenit Artificial, që gjenden të shtruara në Spitalin Ushtarak. Kryebashkiaku Veliaj u njoh nga afër me situatën shëndetësore të tre vajzave dhe u uroi atyre shërim sa më shpejtë. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku kryeqytetas dënoi dhunën e ushtruar ndaj Policisë Bashkiake dhe theksoi se "nuk ka pikë burrërie që deputetë, njerëz të veshur me imunitet përdorin një fjalor rrugaçëror, mbajnë armë, që i mbajnë zakonisht rrugaçët dhe kriminelët dhe ushtrojnë një dhunë që është e denjë për karaktere të botës së krimit."
"Tirana nuk është as Alepo dhe as Palmira, – tha kryebashkiaku Veliaj. – Këta që kanë prirje për të shkatërruar dhe për të dhunuar duhet të gjejnë një sport tjetër. Nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë me investimet e Bashkisë së Tiranës. Kjo është arsyeja pse do të procedojmë penalisht dhe kemi bërë disa denoncime. Policia Gjyqësore është aktualisht duke marrë denoncimet. Nuk më intereson sesa VIP është deputeti, se sa e ka armën, në thelb janë kalamaj frikacakë… Ata që shkatërruan Tiranën katër vjet duan që të vazhdojnë shkatërrimin e Tiranës. Jam i vendosur që të vazhdojmë ndërtimin e Tiranës dhe investimet në Tiranë dhe nuk do të tërhiqem nga asnjë investim që është në dobi të qytetarëve të Tiranës… Tirana nuk do bëhet si Kamza, këtë ua garantoj. Në Tiranë nuk lejoj atë rrumpallë që ekziston sot në Kamëz. Është turp i madh që njerëzit lënë punën në Bashkinë e Kamzës, bashkia sot më e varfër dhe më e keqmenaxhuar në Shqipëri, dhe vijnë protestojnë, a thua se ju djeg barku për Bashkinë e Tiranës dhe për parqet tona."





