Me zbardhjen e vendimit të saj të datës 10 dhjetor 2015, që shfuqizoi ndryshimet e bëra në Kodin Penal gjatë vitit 2013 dhe 2014 sa i përket disa masave ndëshkimore, përfshirë këtu edhe dënimin për armëmbajtjen pa leje, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë individëve të dënuar që të kërkojnë rishikimin e vendimit të dënimit. Në interpretimin e këtij vendimi thuhet se jo vetëm personat e dënuar për armëmbajtje pa leje mund të rishikojnë dënimet por edhe ata persona që kanë kryer një vrasje, plagosje apo vepër tjetër penale të bashkëlidhur me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Kjo erdhi për shkak se Gjykata Kushtetuese i cilësoi ndryshimet e bëra gjatë vitit 2013 dhe 2014 si antikushtuese dhe në shkelje të hapur të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është shfuqizuar neni 278 i Kodit Penal, konkretisht paragrafi 5 dhe 6, i ndryshuar e shtuar me ligjin e miratuar në Kuvend në vitin 2013 dhe atë të vitit 2014. Sipas këtyre dispozitave, që tashmë u shfuqizuan, parashikohej se çdo person që arrestohet për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 deri 15 vjet burg. Ky marzh i lart i dënimit, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është antikushtetues dhe për këtë fakt shfuqizohet. Gjithashtu, edhe pika 6 e këtij neni shfuqizohet, pasi ishte parashikuar një marzh i lartë dënimi nga 15 deri 20 vjet burg, në rastet kur personat arrestohen me më shumë se një armë apo janë edhe përsëritës të kësaj vepre penale. Edhe ky paragraf, sipas Gjykatës Kushtetuese, shfuqizohet pasi bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutes, ku parashikohet, ndër të tjera, se “kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që ka diktuar atë”.
Me zbardhjen e këtij vendimi, ai ka hyrë menjëherë në fuqi, dhe mbetet në vazhdim marzhi i dënimit siç ka qenë i parashikuar në Kodin Penal para ndryshimit të 2013 e 2014, ku për rastet e armëmbajtjes pa leje personi rrezikon një dënim nga gjoba deri në 7 vjet burg.





