TIRANE – Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit në 7 maj 2016. Rezultatet pozitive të këtij provimi kushtëzojnë rritjen e pagës sipas vjetërsisë së punës, nga 5, në 10 dhe 20 për qind, për të gjithë arsimtarët që marrin pjesë në këtë testim. Shtesa e pagës që do përfitojnë mësuesit është mbi pagën bazë dhe jo mbi pagën bruto. Ndërsa, ata mësues që futen në këtë garë dhe dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës, por vetëm nuk përfitojnë rritjen e pagës.
Programet e kualifikimit të mësuesve janë hartuar tashmë nga ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), të cilat gjenden të detajuara në faqen zyrtare të saj www.izha.edu.al. Në total janë 22 programe kualifikimi, kjo në bazë të profileve që kanë arsimtarët; po ashtu janë edhe 14 dokumente të tjera që mësuesit duhet të kenë njohuri, pasi do jenë pjesë e testimit, ku përfshihen, ligji i arsimit parauniversitar, udhëzimet e ndryshme për normën e punës dhe numrin e nxënësve, standardet e mësuesit si dhe Kodin e Etikës. Në provimin e kualifikimit pritet të hyjnë rreth 4 mijë arsimtarë, për të cilët është kusht që të kenë tre ditë trajnim në vit, të barasvlershme me një kredit.
Programet
Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor, ndërsa programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore që mësuesi jep në arsimin fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm të ulët, gjimnaz, në shkollat e specializuara, si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional e arsimin e orientuar, bazohen në të gjitha programet e lëndëve dhe temat që mësuesit japin në këto shkolla. Ndërsa për shkollat artistike, programet e kualifikimit bazohen në lëndët, programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit.
Programet e kualifikimit të mësuesve të arsimit profesional dhe të shkollave të specializuara, që japin lëndët e kulturës profesionale, përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitur nga IZHA. Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë, që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit. Testi i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë.
Pjesa e parë përmban pyetjet mbi dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe të tjera, që përcaktohen në udhëzimin vjetor përkatës.
Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës. Provimi i kualifikimit do të zhvillohet me shkrim, në një ditë për të gjithë mësuesit, në Tiranë, në periudhën mars-prill (ende nuk është përcaktuar nga MAS-i data zyrtare). Brenda muajit shkurt, kandidatët duhet të dorëzojnë në Drejtoritë Arsimore përkatëse portofolin profesional. Vlerësimi i tyre nis që nga portofoli profesional, ku arsimtarët që nuk do të marrin pikët minimale, 5 pikë, në këtë fazë nuk do të futen në testim. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që u korrespondojnë përkatësisht vlerësimeve me fjalët ‘shkëlqyeshëm’, ‘shumë mirë’, ‘mirë’, ‘mjaftueshëm’ dhe ‘dobët’. Kush vlerësohet me “E”, nuk fiton kualifikimin.
Kualifikimi i mësuesve 2016, portofoli dhe literatura që duhet
PERMBAJTJA E PORTOFOLIT TE MESUESIT
1. Portofoli profesional përmban këto dokumente:
a. Curriculum Vitae (me fotografi)
b. Vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor.
c. Fotokopje të certifikatave me kredite.
d. Fotokopje të noterizuar të dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka).
e. Fotokopje të dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka).
2. Portofoli profesional përbëhet nga këta elementë:
a. Një plan të një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare.
b. Një test përmbledhës, sipas profilit përkatës.
c. Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar).
d. Një planifikim të një mësimi model (ditar), duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin.
e. Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
Vlerësimi i portofolit
Komisioni vlerëson me 1-3 pikë secilin element të portofolit profesional
Kandidati që nuk merr të paktën 5 pikë për portofolin, nuk futet në testin e kualifikimit
Kandidatët që kanë një gjuhë të huaj të mbrojtur fitojnë plus 7 pikë
Dhe, nëse kanë kualifikime master apo doktoraturë, fitojnë plus 8 pikë
Fusha: Dokumentet zyrtare
Ligji Nr. 69/2012, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Urdhri për miratimin e Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar (DN), Nr. 343, datë 19.08.2013.
Udhëzim Nr. 25, dt. 17.08.2015, për vitin shkollor 2015-2016 në sistemin arsimor parauniversitar.
Korniza kurrikulare, 2014
Kurrikula bërthamë, klasa 6-9, 2014
Udhëzimi Nr. 44, datë 16.10.2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin Nr. 21, datë 23.07.2010, “Për normat e punës mësimore – edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.
Udhëzimi “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore”, 2016.
Udhëzim Nr. 5, datë 25.02.2013, “Për standardet e mësuesit”.
Udhëzimi Nr. 26, datë 15.08.2015, “Për Zhvillimin Profesional të Punonjësve Arsimorë”.
Udhëzimi “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”, 2016.
Udhëzimi “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore”, 2016.
Udhëzimi Nr.34, dt.11.09.2015, “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca, në arsimin bazë”.
Udhëzimi Nr.38, datë 06.10.2015, “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar”.
Karta e performancës së shkollës.
Standardet e shkollës si qendër komunitare.
Fusha: Aspekte të etikës dhe komunikimit
Kodi i Etikës së Mësuesve në Arsimin Parauniversitar Publik dhe Privat, 2013
Literaturë dhe materiale burimore që trajtojnë çështje të etikës dhe të komunikimit.
Gazeta Shqiptare