Së paku 13 policë u vranë në një sulm në gadishullin egjiptian të Sinait, që u mor përsipër nga Shteti Islamik. Zyrtarët thanë se një mortajë goditi një pikë kontrolli në qytetin e El-Arishit, në veri të gadishullit. Por, sipas militantëve të grupit ekstremist, një kamikaz shpërtheu një makinë me eksploziv në pikën e kontrollit. Dëshmitarët thanë të kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.
Sipas zyrtarëve, forcat e sigurisë më pas vranë pesë nga militantët që kryen sulmin.
Në një postim në Twitter, Shteti Islamik e cilësoi sulmin "pjesë të operacioneve si kundërpërgjigje ndaj poshtërimit dhe kontrollit të grave myslimane në pikat e kontrollit." Së fundmi, grupi ka marrë përgjegjësi për disa sulme vdekjeprurëse në rajon, të cilat kanë pasur si objektiv kryesisht forcat e sigurisë.