Krimet seksuale përgjatë vitit 2015 krahasuar me 2014-n janë rritur, dhe qytetet më të prekura nga ky fenomen janë Tirana dhe Saranda. Ky fakt bëhet publik nga Prokuroria e Përgjithshme ku në një kopje të raportit siguruar nga “Report Tv”, rezulton se në këto qytete janë shënuar 16 raste të hetuara me nga 8 për secilin qytet.
Afro 95 % e personave të përfshirë në këto krime, sipas raportit rezultojnë se janë meshkuj mbi 18 vjeç dhe 5 % e tyre femra.
Në listën e qyteteve të prekura nga ky fenomen përgjatë 2015-s përfshihen Vlora me 5 raste, Durrësi me 4 raste, ndjekur nga Lushnja e Berati me nga dy raste dhe Fier e Kurbin me nga një rast.
Në këto krime përfshihen veprat penale si marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura, veprat e turpshme si dhe marrëdhëniet seksuale ose homoseksuale me të mitur e persona me moshë 14 deri në 18 vjeç.
Përgjatë vitit 2014, në të gjithë vendin janë regjistruar 88 procedime penale, ndërsa në 2015-n numri i këtyr procedimeve ka shkuar në 102 raste, duke shënuar një rritje me 16 %.
Sipas raportit, dy nga elementet që ndikojnë në kryerjen e këtij krimi janë arsimimi i personave dhe vendbanimi i tyre, ku sipas analizës së shifrave, rezulton se krimet seksuale kryhen më shumë në qytet.
/Shqiptarja.com





