Asnjë prej punonjësve të Hipotekës në Durrës s'e ka më të sigurt vendin e punës. Pas problemeve të shumta dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për vonesat në kthimin e përgjigjeve dhe problemeve të shumta të tjera, kreu i ZRPP-së në Durrës Ani Dyrmishi, paralajmëron reformë drastike në Hipotekën e Durrësit.
I kontaktuar nga “DurrësLajm”, Dyrmishi ka deklaruar se si rezultat i këtyre ankesave të vazhdueshme të qytetarëve do të merren masa konkrete ndaj punonjësve të implikuar në ZRPP.
“Me studimin që po bëjmë për këtë problem, asnjë prej punonjësve të ZRPP-së në Durrës nuk e ka më të sigurt vendin e punës”, thotë Dyrmishi.
Drejtori bëri me dije se do t’i propozojë emra konkretë kryeregjistruesit të vendit, për personat që duhet të largohen nga ky institucion, për mospërmbushje në performancën e punës. Janë duke u studiuar dosjet e punës së gjithsecilit, me qëllim që edhe përgjegjësia të jetë e konkretizuar dhe e personalizuar për çdo punonjës.
Pak javë më parë u larguan 7 punonjës juristë dhe topografë, por pas shqyrtimit të ankesave të tyre, dy prej tyre janë rikthyer në punë.
K.H.





