“Jo vetëm euro” është botimi më ri i promovuar, përmes një ceremonie në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri. Libri ka për autor politikanin e njohur italian, ish-kryeministrin Massimo D’Alema.
Libri është shkruar në prag të zgjedhjeve të fundit evropiane dhe parashtron objektivat themelore për ripërtëritjen e Bashkimit Evropian. Pavarësisht kohës që ka kaluar, libri mbetet mjaft aktual, për faktin se ka një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë, duke propozuar jo vetëm objektiva konkretë, por një program themelor dhe një vizion për të ardhmen e Evropës.
Përmes një bashkëbisedimi, ku pjesëmarrës ishin kryeministri Edi Rama, personalitete të jetës politike dhe kulturore në vend, botues, të rinj e të reja, dhe studentë, autori D’Alema bëri një prezantim të tematikave të trajtuara në libër.
"Ky libër është shkruar para disa kohësh. Unë e shpjegoj atë në hyrjen që kam shkruar për këtë botim në shqip, por ruan ende një domethënie që vazhdon të jetë aktuale nëse ju do të dëshironi ta lexoni atë. Është një libër që paraqet një vizion të Evropës. Unë besoj se në një çast krize, kjo është e vërteta. Evropa po jeton një krizë dramatike, nga kjo krizë mund të dalim vetëm duke pasur guximin e një vizioni të ri që të hedh shikimin drejt një Evrope më demokratike dhe kjo është një nga temat kryesore të librit dhe jo ndaj një teknokracie të largët që jeton diku atje në Bruksel," – tha D'Alema.
Kryeministri Rama, në ndërhyrjen e tij, tha se "do të doja t’ia nisja nga një nënkapitull i vogël i librit, që është shumë interesant edhe për ne, ku flitet për populizmin si për një armik e si një barrierë të madhe në ecjen tonë." "Të them të drejtën, këtu shqiptarët, në përgjithësi, i vuajnë shumë këto ndarje që shkojnë kundër zgjerimit, kundër Evropës, kundër myslimanëve e kështu me radhë. Ju flisni për një mundësi për ta luftuar populizmin nga poshtë, e unë mendoj se është interesante ta zhvillojmë këtë koncept," – tha kryeministri Rama.





