Vjedhja e energjisë elektrike zuri një peshë të lartë në grupin e veprave penale për vjedhjen e pasurisë, dukë përbërë 16,5 përqind të totalit të procedimeve të regjistruara, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme në raportin e punës për vitin 2015 drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
"Në analizë të të dhënave për të pandehurit e regjistruar për këtë vepër penale, mund të nxjerrim si konkluzion se faktorët kriminogjenë që ndikojnë në kryerjen e saj kanë të bëjnë kryesisht me nivelin e papunësisë, ku pjesa më e madhe e të pandehurve, 62,5 përqind, rezulton e papunë dhe 36,5 përqind të punësuar në sektor privat," – thuhet në analizën e Prokurorisë së Përgjithshme për procedimet penale që kanë të bëjnë me vjedhjen e energjisë.
Nga trajtimi i rasteve, Prokuroria e Përgjithshme ka vënë në dukje se personat e marrë si të pandehur për vjedhjen e energjisë në 54 përqind të rasteve rezultojnë me arsim 9-vjeçar dhe me arsim të lartë janë vetëm 4 përqind.
"Nisur nga sa më sipër, organi i Prokurorisë ka qenë i kujdesshëm në politikën e tij të dënimit, duke vlerësuar objektivisht faktet, provat e rrethanat e çdo çështjeje. Nga të dhënat lidhur me kërkesat e prokurorit për caktimin e dënimit rezulton se, 55 përqind të tyre e përbëjnë kërkesat për dënim me burg," – referohet në raport.
Vërshimi i procedimeve penale për vjedhje energjie gjatë vitit që shkoi ka lidhje me një aksion të përqendruar që ndërmori Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me qëllim reduktimin e humbjeve në rrjet.
Marrë me ndryshime nga revista "Monitor"





