Duket se çmimi i naftës bruto në tregjet botërore edhe për një kohë të gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në nivelet më të ulëta historike. Christoph Frei, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Energjisë, ka theksuar se “çmimi i naftës nuk pritet të shkojë aty ku ka qenë 18 muaj më parë.”
“Ajo çfarë ne po shohim aktualisht në treg është e vërtetë për naftën, por edhe për gazin natyror. Me këtë çmim ne kemi super furnizim, por në këtë situatë nuk shohim rritje të çmimit, së paku në terma afatshkurtër,” – tha Frei.
Çmimi i naftës sipas Këshillit Botëror të Energjisë mund të variojë mes 40-60 dollarë për fuçi, përgjatë të gjithë vitit 2016. Sipas raportit, liderët botërore për energjinë janë më shumë të shqetësuar për efektet e ngadalësimit të ekonomisë globale sesa për çmimin e naftës. Në të saktësohet se industria e energjisë ende po përjeton një periudhë transformimi dhe inovacionet në këtë treg janë të domosdoshme në të gjitha aspektet, në teknologji dhe në tregje.