Një lajm i trishtë vjen nga Italia për 10-vjeçarin shqiptar Kristi Maze. Vogëlushi është ndarë nga jeta, pasi nuk ka mundur dot të fitojë betejën me operacionin.
Kristi u fut dje në sallën e operacionit, në një ndërhyrje shumë të vështirë, që zgjati rreth 12 orë. Trupi i tij nuk e ka pranuar organin. Gjithashtu operacioni është shoqëruar edhe me trompozim të disa enëve te gjakut. Më herët mjekët kishin analizuar disa organe te dhuruara, por asnjë prej tyre nuk kishte përputhshmëri për t’u transplantuar. Sipas procedurave, rasti po hetohet nga karabinierët e Bergamos për të zbardhur plotësisht ecurinë e operacionit.
10-vjeçari i sëmurë me trombozë në mëlçi, u nis privatisht drejt Italisë për kurim, pas sigurimit të shumës së garancisë falë kontributit të qindra qytetarëve. Ai ndodhej i shtruar prej 4 muajsh në spitalin e Bergamos, ku i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje me sonda para transplantit, teknikë përmes së cilës mjekët italianë zëvendësuan venën e bllokuar me një enë artificiale.
Pas operacionit të parë, Kristi pati një përmirësim të dukshëm të fizikut, por fati i vogëlushit ishte shkruar për shumë pak.





