Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në takim një grup përfaqësuesish të Zyrës Ndërkombëtare të Investitorëve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë. Gjatë bashkëbisedimit, Meta tha se gjithçka që mund të bëjë Kuvendi, qeveria dhe komuniteti i biznesit për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve është jo vetëm në interesin e biznesit, por mbi të gjitha të ekonomive të vendeve tona dhe qytetarëve tanë. Kreu i Kuvendit theksoi se, për shkak të globalizimit, konkurrenca ka kaluar nga niveli kombëtar në rajonal dhe se shmangia e shumë pengesave na ndihmon të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale për të qenë konkurruese në tregjet globale.
"Në këto periudha të mbushura me sfida që vijnë edhe për shkak të globalizimit, është e rëndësishme të kuptojmë që nuk konkurrojmë më me njëri-tjetrin, pra ekonomi kombëtare me ekonomi kombëtare apo ekonomi lokale me ekonomi lokale, por konkurrohet në nivel rajonal. Kështu që rritja e shkëmbimeve me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, respektimi i rregullave të cilat na ndihmojnë të përafrojmë standardet dhe legjislacionin tonë me atë të BE, heqja edhe shmangia e shumë barrierave të panevojshme na ndihmon të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale, e cila të ketë mundësi të konkurrojë dhe jo vetëm të tërheqë investime të huaja në mënyrë të suksesshme, por edhe të eksportojë, çka është shumë e rëndësishme," – tha Meta.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi përvojën e Maqedonisë në fushën e bujqërisë dhe ushqimit, dhe theksoi se Shqipëria mund të mësojë shumë nga kjo përvojë e vyer për zhvillimin e kësaj industrie. "Ne mund të mësojmë nga eksperienca e Maqedonisë. Unë këtë jua them të gjithëve, sidomos për zhvillimin e bujqësisë, industrisë së agro-përpunimit, ushqimit etj. Sidomos në fushën e këtij biznesi, Maqedonia është një shkollë shumë e mirë për të gjithë ata që duan të merren me këtë aktivitet," – u shpreh Meta.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime dhe ide për një bashkëpunim sa më të mirë mes dy vendeve në fushën e biznesit dhe se çfarë mund të bëhet më shumë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.