Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi në analizën vjetore të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor se "FSDKSH vitin e kaluar u përball me një skemë mashtrimi, atë të rimbursimit fiktiv të barnave." Ministri Beqaj tha se janë marrë të gjitha masat që kjo mos ndodhë më.
"Viti i kaluar ka qenë një vit i sikletshëm për Fondin, sepse gjatë vitit u përball me një ngjarje të rëndë, me abuzimin e përmasave të mëdha, me një skemë korruptive të rimbursimit të barnave. Rimbursimi i barnave ka pasur probleme, por ajo që u konstatua ishte fiktive, që nga individi, receta, rimbursimi, madje dhe një pjesë e farmacive ishte fantazmë. Ne kemi analizuar pse u arrit deri në këtë pikë, përgjegjësitë individuale i mban secili, por ne kemi për detyrë që këto gjëra mos të ndodhin më dhe unë besoj se Fondi ka filluar përpjekjet që hapësirat të vijinë duke ngushtuar," – tha Beqaj.
Vjollca Braho, drejtoresha e FSDKSH, tha se gjatë vitit 2015 çmimi i barnave u ul me 12.5%. "Kemi pasur ulje të çmimit të barnave me 12.5%. Është ofruar shërbimi i hemodializës, 34% është realizuar në spitalet shtetëror dhe 66% në privat, gjatë 2015 u realizuan 801 paketa të kardiokirurgjisë," – tha Braho.





