Komisioneri i Bashkimit Evropian për migrimin, çështjet e drendshme dhe shtetësi Dimitris Avramopoulos zhvillon nesër një vizitë zyrtare në Tiranë. Zyra e shtypit e Delegacionit të BE në Tiranë ka bërë me dije axhendën e komisionerit Avramopoulos, që përfshin takime me krerët më të lartë të shtetit.
Komisioneri Avramopoulos do të pritet në orën 09:00 në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa në orën 09:45 ai do t’i drejtohet Presidencës, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani. Axhenda e takimeve të tij do të vijojë me kryediplomatin Ditmir Bushati rreth orës 10:30 dhe ministrin e brendshëm Saimir Tahiri rreth orës 11:15. Komisioneri Avramopoulos dhe ministri Tahiri pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Ndërkohë, komisioneri i BE do të takohet edhe me ambasadorët e vendeve të BE rreth orës 13:00, ndërsa në orën 14:00 ai do të jetë në drekën pritëse nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Vizita vjen ndërkohë që kriza e emigrantëve ka prekur pjesën më të madhe të vendeve të BE. Shqipëria mund të jetë një rrugë kalimi për refugjatët drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera, megjithëse autoritet shqiptare kanë pohuar se nuk do të përfshihen të vetëm në këtë proces.





