Babai i Alda Canajt, vajzës që u vra bashkë me të ëmën nga Marjan Rroku, ka depozituar në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për televizionin “Klan” dhe moderatorin Ardit Gjebrea, pasi ky i fundit e risolli në vëmendje ngjarjen e rëndë të 15 viteve më parë në emisionin “E diela shqiptare”, duke kaluar 24 orë me autorin e vrasjes së dyfishtë.
Në kallëzimin e ngritur nga Faslli Canaj, thuhet se janë kryer gjashtë shkelje dhe ai kërkon nga prokuroria të hedh dritë nëse për këtë intervistë janë paguar apo jo para. Ai gjithashtu ngre dhe pistën e pagimit të parave dhe kërkon që të verifikohet nëse është i vërtetë ky fakt.
“Së pari, për emisionin ne nuk kemi pasur asnjë sinjalizim si familje e dëmtuar dhe kjo na shkaktoi një tronditje të gjithëve sa që nuk mund ta përshkruajmë.
Së dyti, ai ka përdorur emër dhe mbiemër të plotë të vajzës, pa lejen tonë e cila është minorene dhe nuk duhej përdorur.(Neni 35 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë)
Së treti, ka përdorur emrin e vajzë së madhe duke treguar dhe vendbanimin pa kontaktuar me asnjë nga ne.
Së katërti, ka përdorur foto të familjes sime, gruas, vajzës, madje dhe nënës dhe varrezave përsëri pa na pyetur. (Neni 8 i Konventeë Europiane për të Drejtat e Njeriut)
Së pesti, kemi pasur telefonata dhe edhe ne rrjetet sociale se të gjitha i ka bërë se ka marrë shuma marramendëse parash. Le të verifikohet në është e vërtetë apo jo?
Së gjashti, ka shtrembëruar të vërtetën, thënë vetëm nga një palë, duke e paraqitur ngjarjen si të rastësishme pa kërkuar të vërtetat sipas dokumenteve”, thuhet në kallëzimin e ngritur nga Faslli Canaj.





