Nis reforma në personelin e spitalit të Durrësit. Burime nga spitali kanë bërë me dije për “DurrësLajm” se një numër i konsiderueshëm punonjësish rrezikojnë vendet e tyre të punës në spitalin Rajonal të Durrësit në kuadër të reformave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë. Shkarkimet kanë nisur në repartet e prapavijës në spital.

Burimet saktësojnë se në listë për t’u larguar janë punonjësit që janë mbi organikë në repartet ku janë të punësuar. Prej sanitareve, mirëmbajtësve, punonjësve të lavanderisë, ekipeve në prapavijë, kanë nisur largimet nga puna. Mësohet se një numri të konsiderueshëm punonjësish, largimi iu është komunikuar tri muaj para. Të gjithë në spital janë nën ethe, ndërsa numri i të prekurve nga reforma në shëndetësi nuk është bërë publik.

K.H.