Diferenca e çmimit të bukës në vendin më të shtrenjtë në botë (Singapor) me Tiranën është 2.28 dollarë/kg, por që s’mund të pohojmë të njëjtën gjë për nivelin e pagave mesatare…

Singapori mori titullin si qyteti më i shtrenjtë në botë, për të tretin vit radhazi, nga studimi i bërë i Njësisë së Inteligjencës i revistës prestigjioze “The Economist” (The Economist Intelligence Unit), i ndjekur nga Zyrihu dhe Hong Kongu. Ndërsa për shtrenjtimin e jetesës në New York, raporti tregon se vjen si pasojë e forcimit të dollarit, gjë që rriti çmimet e të mirave dhe shërbimeve.

Indeksi studion dhe merr në konsideratë koston e të mirave shtëpiake, veshjeve, ushqimit dhe transportit, por nuk përfshin koston e strehimit, element të cilin ekspertët e konsiderojnë të kushtueshëm dhe që mund të ndikojë në renditje.

Një ndër elementët që indeksi studion është edhe çmimi i bukës (merret në shqyrtim 1 kg bukë në USD). Po t’ referohemi tabelës së studimit, duke marrë në konsideratë qytetet më të shtrenjta në botë, një kg bukë kushton më shtrenjtë në Hong Kong, 12.44 dollarë/kg; ndërsa më pak në Singapor, me 3.40 dollar/kg, shifra të studiuara për këtë vit.

Krahasuar me të dhënat që Numbeo zotëron për Shqipërinë, një kg bukë në vendin tonë kushton 1.12 dollarë. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit, çmimet janë përkatësisht: Beogradi (Serbia) 0.84 dollarë/kg; Shkupi (Maqedonia) 1.1 dollarë/kg; Podgorica (Mali i Zi) kushton 1.16 dollarë/kg.
Diferenca e çmimit të bukës në vendin më të shtrenjtë në botë (Singapor) me Tiranën është 2.28 dollarë/kg, por që s’mund të pohojmë të njëjtën gjë për nivelin e pagave mesatare apo të ardhurave të tjera.