Përfaqësues të qeverisë siriane kanë përjashtuar mundësinë e nisjes së bisedimeve për paqen me grupet e opozitës, kur procesi i mbështetur nga OKB i mbajtur në Gjenevë të Zvicrës ka hyrë në ditën e tretë. Ditën e martë, liderët opozitarë deklaruan se ishin gati të takoheshin kokë më kokë me zyrtarët e regjiimit të presidentit Bashar Al-Assad. Por, negociatori i Damaskut, Bashar Al-Jaafari e refuzoi idenë duke i cilësuar interlokutorët si terroristë.
Ndërkohë, partia kryesore kurde në Siri, që nuk është e ftuar në Gjenevë, ka njoftuar se ka në plan të shpallë një sistem federal administrimi në veri të vendit. Drejtues të Partisë së Unionit Demokratik, milicia e të cilës kontrollon 400 kilometra territor përgjatë kufirit me Turqinë, deklaruan se në sistem do të përfshihen përfaqësues për çdo komunitet etnik të zonës.
Por, Bashar Al-Jaafari ndërkohë refuzoi të komentonte planin në fjalë, por paralajmëroi se “çdo përpjekje për të krijuar përçarje mes sirianëve do të dështojnë.” Gjithashtu, pas takimit me të dërguarin e posacëm të OKB, Staffan de Mistura, ai sqaroi se bisedimet direkte i refuzon për shkak të pranisë së negociatorit opozitar Mohammed Alloush, anëtar i grupit rebel Jaysh Al-Islam.