Policia franceze ka arrestuar katër persona të dyshuar se ishin përfshirë në një plan për një sulm terrorist në Paris. Sipas mediave franceze, të arrestuarit janë tre burra dhe një grua, të cilët janë ndaluar në orët e mëngjesit, në Paris. Mes tyre janë dy vëllezër me origjinë turke, si edhe një person i identifikuar si Youssef E., i konsideruar shumë i rrezikshëm dhe njëkohësisht i njohur nga seksioni i antiterrorizmit francez, pasi ishte dënuar me 2 vjet burg në mars të vitit 2014.

Ai ishte ndaluar njëherë dy vjet më parë në aeroportin e Saint Etienne, teksa përpiqej të largohej drejt Sirisë me një bashkëpunëtor, por ishte liruar në tetor të vitit 2015. Ndërkohë, gruaja e ndaluar rezulton të jetë partnerja e tij. Hetuesit janë të bindur se të katërt ata përbënin një kërcënim serioz. Gazeta “Le Figaro” njofton se gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur krehëra kallashnikovi, armë dhe një USB, bashkë me disa materiale informative.