Të paktën 34 të vdekur dhe mbi 125 të plagosur është bilanci i deritanishëm i shpërthimit të fuqishëm që ndodhi dje në Ankara.

Bomba e vendosur në një nga lagjet kryesore të Turqisë, ku ndodhen edhe godinat e ministrisë, ka shpërthyer pranë disa stacioneve autobusi, çka i ka kushtuar jetën edhe njerëzve kalimtarë aty pranë, raporton “Hurriyet Daily News”.

23 prej tyre vdiqën në vendngjarje e ndërsa të tjerët në spital. Zona është evakuuar menjëherë, për të shmangur një shpërthim të dytë dhe të plagosurit i kanë shpërndarë në 10 spitale të vendit.

Presidenti i vendit Rexhep Tahip Erdogan, la takimet zyrtare në Stamboll për t’u kthyer në Ankara dhe të asistojë në një tjetër tragjedi për vendin e tij.

“Pas paqendreshmërisë në rajon, Turqia në vitet e fundit ka qenë cak i sulmeve terroriste. Në fytyrën e veprimeve që kërcënojnë integritetin e vendit tonë, ne do të vazhdojmë luftën kundër terrorizmit edhe më të vendosur”, thuhet në një deklaratë të Erdogan-it.

Në më pak se 6 muaj, ky është sulmi i tretë që godet Turqinë. I fundit ishte sulmi i 17 shkurtit, kur 29 persona humbën jetën.