Gjatë këtij viti politika e pensioneve që do të ndërmarrë Instituti i Sigurimeve Shoqërore pritet të zgjidhë një sërë problemesh, të hasura këto te disa kategori individësh. Së pari, bëhet fjalë për ata individë, tek të cilët janë gjetur gabime në dokumente (datëlindje apo gabime në hedhjen e kontributeve), por edhe për ata persona, për të cilët janë lidhur pensione jashtë afatit. Astrit Hado, drejtor i ISSH-së, në analizën vjetore të institucionit zbardh problematikat, njëkohësisht edhe zgjidhjet që do të aplikohen gjatë këtij viti. Po ashtu, Hado ndalet edhe në zbatimin e reformës së pensioneve, e cila tashmë ka hyrë në vitin e dytë, si dhe në skemën e ngritur për kompensimin e energjisë elektrike ndaj pensionistëve dhe familjeve në nevojë. Këtë vit, sipas kreut të ISSH-së, është ngritur infrastruktura që të gjitha pensionet të paguhen online dhe deri tani numri i tyre ka arritur në 470 mijë. Ai vë theksin edhe në faktin se, gjatë vitit që kaloi, për herë të parë u trajtuan me pension social 1811 persona me moshë mbi 70 vjeç, që nuk kishin asnjë të ardhur tjetër ose të ardhurat e tyre ishin të papërfillshme.
Lidhja e pensioneve
Tashmë nevojiten vetëm 27 ditë për lidhjen e pensioneve, duke sjellë në këtë mënyrë përgjysmim të kohës së nevojshme për shqyrtimin e një kërkese. Astrit Hado, tha se për 2015- n, rreth 91 për qind e pensioneve janë lidhur brenda afateve. Ky është një tregues, sipas tij, i përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, pjesa e mbetur ka pasur vonesa, të cilat kanë krijuar shqetësime në radhë të parë për qytetarët dhe më tej duke krijuar flukse të panevojshme të kërkesave, letrave, ankesave si dhe shtim të radhëve në zyrat e pritjes Bëhet fjalë për ë mijë pensionistë, të cilët nuk kanë arritur të marrin në kohë pensionin, kjo për shkak të problematikave që kanë lindur gjatë verifikimit të viteve kontributive. “Vitin e kaluar është bërë e mundur që të lidhet pensioni mesatarisht në 27 ditë, ndërkohë më parë kjo bëhej e mundur për 31 ditë, nga 45 deri në 60 që është afati i përcaktuar ligjërisht”, tha Hado.
Kompensimi i energjisë elektrike
Brenda afateve ligjore të përcaktuara u arritën të kryhen procedurat për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, sipas VKM nr. 8, datë 14.01.2015 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kWH, në muaj”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr. 1, datë 01.02.2015 “Mbi zbatimin e VKM nr. 8, datë 14.01.2015” i tre ministrave, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, prej 648 lekë për çdo përfitues, për rreth 80 mijë kryefamiljarë pensionistë e invalidë, si dhe gjatë gjithë vitit u ndoq procesi i rideklarimit të gjendjes së punësimit në familje, duke larguar nga skema rastet abuzive, si dhe duke pritur e vendosur përfitime për të drejtat e reja. Por, të gjithë individët që plotësojnë kushtet dhe nuk janë bërë pjesë e masës së përfitimit, kanë të drejtë të aplikojnë dhe të marrin lekët që nga momenti kur dorëzojnë dokumentet. Për të përfituar kompensimin duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë ose të jenë të papunë, punëkërkues. Dokumentet që duhet të dorëzojnë janë kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton që e paguajnë energjinë e konsumuar, certifikatë familjare, për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune, si dhe një deklaratë që plotësohet pranë sporteleve të agjencive të ISSH-së. Verifikimi nëse pjesëtarët e tjerë të familjes janë të papunë, punëkërkues, bëhet zyrtarisht në zyrat e punës.
Minatorët
Po gjatë këtij viti është zbatuar ligji për punën nën tokë të ish-minatorëve, si pjesë integrale e reformës së pensioneve dhe mbi 3000 ish-minatorë kanë përfituar pensionin në moshën 55 vjeç, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar me këtë kategori që kanë punuar në kushte dhe punë shumë të vështirë.
Reforma
Sipas ISSH-së, sa i përket reformës së pensioneve, për herë të parë në vitin 2015 u paguan pensione më të larta se tavani administrativ maksimal të vendosur në ligjin e vjetër, duke realizuar kthimin e kontributeve të paguara ndër vite në masë pensioni. Ndërkohë, procesi i zbatimit të kësaj reforme, i lidhur ngushtë me proceset e informatizimit të sistemit dhe të rritjes se performancës së shërbimeve ndaj qytetarëve, kërkon impenjim të vazhdueshëm, në zbatimin e dispozitave dhe rregulloreve ekzistuese ashtu edhe në përgatitjen e akteve nënligjore të reja sipas problematikave dhe nevojave që dalin. Ka ende shumë punë, deri në arritjen e standardeve, që kërkohet dhe që janë përcaktuar nga Qeveria. Gjatë vitit 2015, sipas ISSH-së u realizuan menjëherë të gjitha procedurat administrative të rritjes së pensioneve, si dhe pagesave për mbi 619 mijë përfitues nga data 01.08.2015, si dhe u realizua në një kohë rekord e gjithë procedura administrative e dhënies së shpërblimeve për vitin e ri po për 619 mijë përfitues, me një efekt financiar rreth 1,2 miliardë lekë.
Si ndryshojnë regjistrat dhe pagesat
Ndër objektivat e këtij viti, pritet që të miratohet marrëveshja e pensioneve me Gjermaninë, Kanadanë dhe Austrinë, ndërkohë që do të synohet zgjerimi i mundësisë për pagesat mujore përmes bankave. Gjithashtu me dixhitalizimin e sistemit, të gjitha të dhënat për kontributet dhe llogaritjet e përfitimit do të verifikohen në kohë shumë të shpejtë.
Shpallet vendimi për gabimet në kontribute
Gjatë këtij viti ka vijuar puna për përqendrimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë në arkivin e përqendruar, për dixhitalizimin dhe hedhjen e të dhënave të dokumentacionit të vjetërsisë në punë dhe të periudhave të sigurimit si dhe të pastrimit të bazave të të dhënave. Janë përfunduar së dixhitalizuari të gjitha regjistrat e ish-KB dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore, gjithsej 21 624 regjistra, dhe janë skanuar rreth 560 regjistra ose 700 mijë faqe. Gjithashtu, po punohet për marrjen në dorëzim të regjistrave të subjekteve shtetërore para vitit 1994 e ndërmarrjeve, ende në aktivitet, si dhe të të gjithë dokumentacionit të komunave dhe njësive të tjera të pushtetit lokal, të cilat janë suprimuar për shkak të reformës territoriale. Në Drejtorinë e Arkivit të Përgjithshëm, vazhdon puna për certifikimin dhe dixhitalizimin e tyre.
Njohja e vjetërsisë
Sipas ISSH-së dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale, pritet që një nga vendimet më të rëndësishme të këtij viti, të jetë ai për njohjen e periudhave kontributive të plotësuara me laps. Projektvendimi që është duke u hartuar, përcakton procedura administrative për verifikimin dhe njohjen e vjetërsisë së punës të periudhës para 1994, që kanë mangësi apo gabime, si dhe dokumentet e burime alternative që vërtetojnë këto periudha pune. “Konkretisht, e gjithë periudha e punës para vitit 1994 është e dokumentuar në regjistrat e punës dhe pas vitit 1994 janë të evidentuara në listëpagesat mujore të dorëzuara pranë Sigurimeve Shoqërore dhe organeve tatimore. Shpesh regjistrat janë vetëm me datën e fillimit të punës dhe pa datën e mbylljes së saj, gjeneralitetet e të punësuarve të shkruara gabim, me shkurtime ose me korrigjime, pa atësi, pa datëlindje ose me atësi dhe datëlindje të korrigjuara, si dhe të dhëna të shënuara më laps plumbi”, thotë ISSH. Ky fenomene haset në 6 për qind të regjistrave për ditët e punës në kooperativat bujqësore dhe njohja e këtyre periudhave të punës do të bënte të mundur pagimin e pensionit në kohë dhe në masë të plotë. “Kjo njohje vjetërsie do të bëhet pas miratimit të një VKM-je, e cila është në proces hartimi. Në këtë projektvendim janë parashikuar të gjitha rastet kur njihen dhe procedura të përpikta të verifikimit të tyre dhe të gjithë fondit arkivor të vjetërsisë në punë”. Këtë vit janë konstatuar 670 raste të pensioneve të lidhura ndër vite me datëlindje të ndryshuar me një dëm ekonomik prej 800 milionë lekë.
Marrë nga gazeta "Shekulli"