Politikani rus i opozitës, njëherësh ish-kampion botëror në shah, Geri Kasparov, tha sot se Vladimir Putin ka për qëllim ta ndajë Europën dhe nuk ka asnjë sekret në ambiciet e tij. Duke folur në Forumin e Lirë Rus, në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, Kasparov lëshoi kritika të ashpra ndaj politikave të presidentit rus. Kasparov thekson se me sulmet ruse në Siri, Putin shkaktoi përkeqësimin e situatës në terren, gjë që detyroi njerëzit të largohen në Europë. "Qëllimi kryesor i Putinit është që ta ndajë Evropën, dhe me këtë ai nuk fsheh ambiciet e tij," – tha Kasparov.

Kasparov mendon se Rusia qëllimisht dëshiron të përkeqësojë situatën në Siri dhe se ka për qëllim dobësimin e NATO. "Shanset janë shumë të vogla që Rusia të fillojë një luftë kundër NATO, pasi Moska e di se një përpjekje e tillë do të nxiste kundërpërgjigjen ushtarake të aleancës," – theksoi Kasparov. Ai e cilësoi udhëheqjen e presidentit rus "një diktaturë fashiste", duke theksuar se është e pamundur që një rus të kritikojë Putinin, pasi askush nuk është i lirë.