Reparti që u hap në shtator e tetor të vitit 2014, është pothuajse plot me pacientë çdo ditë. Mesatarisht, 7 pacientë në ditë kryejnë kimioterapinë në repartin e onkologjisë, ku trajtohen 2 grupe të sëmurësh.
Këtu trajtohen të sëmurët paliativë që janë në stadet e fundit të jetës, dhe të prekurit me kancer gjiri, dhe të zorrës së trashë që marrin shërbimin e kimioterapisë.
Është një klinikë e re, ku nuk mungon pothuajse asgjë, ndërsa ekipi mjekësor trajton pacientët me kujdesin e veçantë.
Sipas mjekes onkologe Manjola Luzi, në këtë klinikë trajtohen të sëmurë me kancer gjiri e të zorrës së trashë që janë në stade të hershme dhe jo metastatikë. Sipas mjekëve, është ulur mosha e prekjes nga kjo sëmundje, dhe sa më e re mosha aq më agresive është sëmundja.
Më parë, mosha mesatare e prekjes nga sëmundjet kancerogjene te gratë ka qenë mosha mbi 50 vjeçe, tani mosha mesatare është 40 deri 45 vjeçe. Ndërsa për tumoret malinjë të zorrës së trashë, mosha mesatare është 55 vjeç.
Mjekja Manjola Luzi nënvizon se “Fatkeqësisht është rritur numri në mënyrë drastike, edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën, i diagnostikimit me kancer. Një në tetë gra kanë riskun që të preken nga kanceri i gjirit në jetë, por po kështu është rritur edhe ndërgjegjësimi për t’u diagnostikuar në fazë të hershme. Problem kryesor për mjekët është se sëmundja e kancerit po prek moshat e reja. Jo vetëm që vijnë raste të moshës 40 vjeçe në masë, por ka edhe nën moshën 30 vjeçe. Një 28-vjeçare është diagnostikuar me kancer gjiri rishtaz”, pohoi mjekja Luzi.
Hapja e kësaj klinike në Durrës, ka shmangur lëvizjet dhe shpenzimet e pacientëve dhe familjarëve që i shoqërojnë për në Tiranë. Të sëmurit i ofrohet ndihmë multidisiplinore. Ai merr terapinë ditore dhe gjithashtu së bashku me familjarët dhe mbështetjen emocionale nga psikologja. Duke iu referuar statistikave, çdo vit në Shqipëri, janë diagnostikuar rreth 250 raste të reja me kancer ose 25 për qind rritje vit pas viti. Rreth 70 për qind e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi.
K.H.