Donald Trump ka fituar edhe në tri shtete ku u mbajtën zgjedhjet partiake republikane për garën për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara. Ai fitoi në Miçigen, Misisipi dhe Havai, ndërsa rivali i tij kryesor, Ted Cruz, ka fituar në Ajdaho. Dy kandidatët e tjerë republikanë, Marco Rubio dhe John Kasich, kanë mbetur prapa.

Ndër demokratët, ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton e ka ruajtur udhëheqjen e saj, duke fituar në Misisipi, por ka pësuar disfatë befasuese nga rivali i saj Bernie Sanders në Miçigen. Aktualisht, Clinton ka fituar në 13 prej 22 shteteve dhe, sipas rrjetit CNN, ajo kontrollon 1 238 delegatë, ndërsa Sanders ka 572 delegatë. Për ta fituar nominimin partiak nevojiten 2 382 delegatë.