Bashkimi Evropian dhe Turqia ranë dakort në parim për planin që do të lehtësojë krizën e emigrantëve, më e rënda për Evropën që pas Luftës së Dytë Botërore, por pa e hedhur, të përfunduar në letër. Gjithësesi një diskutim i dytë do të vijojë më 17-18 mars në takimin e vendeve të BE. Marrëveshja parashikon këmbimin e çdo emigranti të kthyer mbrapsht nga Evropa me një tjetër, por që është i regjistruar dhe i plotëson kushtet për azil.

Ankaraja u kërkoi në këmbim 28 lidërve të BE përshpejtimin e procesit të anëtarësit në BE, liberalizim vizash për shtetasit turq në zonën "Shengen" deri në qershor, dorëzimin e menjehershëm të fondit prej 3 miliardë eurosh për të cilin u ra dakort në muajin tetor, si edhe një fond tjetër shtesë prej 3 miliardë eurosh për të përballuar krizën.

Mirëpo, pakti mes Brukselit dhe Ankarasë ka nxitur reagimin e OKB dhe organizatat për të drejtat e njeriut. OKB shprehu shqetësimin se me dëbimin masiv të emigrantëve po cënohen ligjet ndërkombëtare, ndërsa Amnesty International e quajti marrëveshjen si një goditje vdekjeprurëse për të drejtën e azilit.

Pjesa më e madhe e emigrantëve në Evropë vijnë nga Turqia, ku aktualisht po strehohen më shumë se 2.7 milionë refugjatë që i janë larguar luftës civile në Sirinë fqinje. Kriza e emigrantëve u rëndua pas vendimit të Austrisë për të ulur ndjeshëm kuotat e pranimit, që u pasua nga vendimi i Maqedonisë për të mbyllur kufirin me Greqinë, duke bllokuar kësisoj të ashtuquajturën "rruga e Ballkanit".