Qeveria propozon ndryshimet në një ligj që synon të legalizojë tregun e portaleve të informacionit online, duke i detyruar të regjistrohen dhe të marrin përgjegjësi për përmbajtjen

Praktikisht bëhet fjalë për përafrim të legjislacionit me BE-në, por implementimi i një drafti të propozuar nga ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike do të vërë rregulla në një zonë ku diçka e tillë duket e pamendueshme. Për atë që është kaos në faqet online, zbatimi i këtij ligji do të jetë jo fort i lehtë, aq më shumë që ai kërkon heqjen e përmbajtjes antiligjore që përfshin këtu edhe komentet raciste e të ngjashme që mbulojnë jo pak pjesë të kësaj hapësire. Ligji që është menduar t’i rregullojë këto faqe si media online dhe po ashtu siç ndodh me median tradicionale t’i bëjë përgjegjëse për përmbajtjen e tyre kur kjo shkel ligjin, përfshin shkelje të të drejtës së autorit apo të ngjashme me këtë. Po ashtu, ligji i detyron ato të regjistrohen dhe njëkohësisht të krijojnë lehtësitë për denoncimin e rasteve kur përmbajtja shkel Kodin Penal të vendit dhe ligje të ngjashme.

Shtimi i portaleve në internet, shtimi i ankesave nga qytetarët dhe i proceseve gjyqësore ndaj tyre, por edhe boshllëku ligjor ekzistues kanë bërë që qeveria të ndërhyjë. Një portal online sipas draftit do të shihet si një biznes online, për të cilin masat e sigurisë do të jenë të larta, sidomos sa i përket ruajtjes së informacionit të personave që e përdorin faqen apo edhe më shumë mbrojtje prej përmbajtjes joligjore të tyre. Ndryshimet ligjore do ta bëjnë edhe më të vështirë dhe shumë të ndëshkueshme një fyerje apo koment online.

“Çdo person që ndihet i fyer për arsye raciste, ksenofobie, pornografia kundrejt fëmijëve të mund të raportohen nga personat në çdo portal”, deklaron ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Ligji detyron portalet të krijojnë një sektor të posaçëm në faqet e tyre, ku qytetarët të raportojnë këto ankesa personale për fyerje ndaj tyre. Portalet më pas do të jenë të detyruara t’i raportojnë këto në organet e posaçme ligjzbatuese.

“Brenda 48 orësh duhet të çaktivizojë përmbajtjen e deklaruar të tillë, pasi verifikon elementet që përcaktohen në ligj, deri sa autoriteti përkatës të shprehet”, nënvizon Harito.

Ashtu si çdo biznes që ka adresën e tij, edhe portalet detyrohen tashmë të kenë një të tillë. Ndryshimet ligjore parashikojnë gjobitje të rënda për portalet, të cilat sot e tutje do ta kenë të ndaluar edhe me ligj që të jenë të papërgjegjshme për lajmet që botojnë. “Ka masa administrative për portalet që nuk do të zbatojnë detyrimet që sjell ligji”, nënvizon Harito. Gjobat e parashikuara prej ligjit shkojnë deri në 200 mijë lekë, ndërsa janë parashikuar edhe masa administrative. Ministria sapo ka filluar debatin mbi draftin, ky i fundit pritet të ngjallë polemika edhe për lirinë apo kufizimin e saj sa i përket informacionit që shpërndahet. Në rast të zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të shkeljeve online, përfshi të drejtën e autorësisë, një pjesë e portaleve do ta kenë të vështirë të mbijetojnë.

Ndërkohë, ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me përcaktimin e autoriteteve që do të marrin masa në rastet e konstatimit të informacioneve me përmbajtje të paligjshme. I tillë është përcaktuar Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kështu, në raste abuzimi me informacionet, do të krijohet e drejta për çaktivizim brenda 48 orëve nga marrja e ankesës dhe brenda 24 orëve në rast se ka një vendim gjykate.

Gjatë takimit me përfaqësues të portaleve dhe mediave audiovizive, ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, tha se këto ndryshime përafrojnë legjislacionin me direktivat e BE-së, si dhe sqarojnë më në detaje përkufizimet që kanë të bëjnë me shërbimet e informacionit, si dhe ato që mund të kenë munguar. Harito ndërkohë foli edhe për mundësinë e njohjes së gjuhës shqipe nga ana e Google Ads, për të bërë të mundur që portalet shqiptare të mund të përfitojnë nga të ardhurat ndërkombëtare të reklamave dhe po ashtu sipas saj do të ketë një marrëveshje për njohjen e gjuhës edhe nga Google Street.

Nga ana tjetër, këto ndryshime përcaktojnë edhe disa detyrime të reja për portalet dhe mediat vizive, siç janë ato për identifikimin me anë të një adrese fizike/dhe apo elektronike etj. Sipas ministres Harito, një pjesë e madhe e portaleve nuk kanë adresa dhe informacione të përgjithshme për publikun, duke e vështirësuar identifikimin e tyre.

Ndryshimet e propozuara synojnë:

  1. Ndryshimin e titullit, duke qartësuar se ky nuk është thjesht një ligj për tregtinë elektronike po për shërbimet e shoqërisë së informacionit;
  2. Qartësimin e detyrimit të portaleve online (ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit) për të pasur një pikë kontakti të identifikuar;
  3. Vendosjen e rubrikës së raportimit për lajmet apo komentet me përmbajtje të paligjshme, në të cilin lexuesit e portalit mund të sinjalizojnë për materiale apo komente me përmbajtje të jashtëligjshme.
  4. Vendosjen e një afati 48-orësh, brenda së cilës portalet duhet të bëjnë çaktivizimin e komenteve me përmbajtje të paligjshme, raciste, ksenofobe etj., nga momenti që ato marrin dijeni, sipas përcaktimeve të Kodit Penal dhe atij Civil.
  5. Përcaktimin e organeve mbikëqyrëse të zbatimit të këtij ligji, që në kohën kur ai ishte miratuar në vitin 2009, nuk ekzistonin, si: ALCIRT, sektori i krimit kibernetik në polici etj.

Pjesë nga projekti për formalizimin e portaleve online

Neni 1

Titulli i ligjit ndryshohet si më poshtë:

“Për tregtinë elektronike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit”.

Neni 2

Në pikën 2, të nenit 2, bëhen këto ndryshime:

  1. shkronja b), riformulohet si më poshtë: “për çështjet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, të rregulluara nga ligji i posaçëm”

Ky ligj përafron pjesërisht Direktivën nr. 2000/31/KE “Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, veçanërisht në tregtinë elektronike në tregun e brendshëm”.

  1. Në fund të shkronjës d) shtohet fraza “në rastet e shërbimeve të ofruara sipas nenit 5/1.”

Neni 3

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime: 1. Në shkronjën a) fraza “që ofrohen përkundrejt pagesës” të zëvendësohet me frazën “që ofrohen kryesisht përkundrejt pagesës”. 2. Paragrafi i fundit pas pikës iii) të shkronjës a) ndryshohet si më poshtë: Shërbimet e shoqërisë së informacionit përfshijnë veprimtaritë ekonomike që konsistojnë në shitjen e mallrave online, në shërbimet e ofruara pa pagesë, siç janë shërbimet që ofrojnë informacion, komunikime tregtare, mjete të kërkimit të informacionit, aksesin dhe shkarkimin e të dhënave në Internet. Shërbimet e shoqërisë së informacionit përfshijnë gjithashtu shërbimet që konsistojnë në transmetimin ose ruajtjen e informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit përmes një rrjeti komunikimi. Veprimtaritë ekonomike ku shpërndarja e mallrave apo ofrimi i shërbimeve bëhet jo elektronikisht, apo kur shërbimi ofrohet jo me kërkesë të vetë marrësit, nuk përbëjnë shërbime të shoqërisë së informacionit.

  1. Shkronja ç) riformulohet si më poshtë: ç) “Marrësi i shërbimit” është çdo person fizik ose juridik, i cili, për qëllime profesionale apo të ndryshme, përdor një shërbim të shoqërisë së informacionit, në mënyrë të veçantë, për qëllime të kërkimit të informacionit apo bërjen e tij të aksesueshëm. Marrësi i shërbimit përfshin si personat që ofrojnë informacion në Internet (ofruesit e përmbajtjes), ashtu dhe personat që kërkojnë informacion në Internet për qëllime private apo profesionale për të gjitha llojet e përdorimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit.
  1. Pas shkronjës j) shtohet shkronjat k), l) dhe ll) me këtë përmbajtje: k)“Autoritet përgjegjës” në kuptim të këtij ligji është autoriteti/et që në bazë të legjislacionit në fuqi ka kompetencë parandalimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimit kibernetik. l)”Ofrues i shërbimeve ndërmjetëse” është çdo person fizik apo juridik që në funksion të ofrimit të shërbimeve të informacionit, kryen një ose disa nga aktivitetet e përcaktuara në nenet 15, deri në 18 të këtij ligji.” ll)“Përmbajtje e paligjshme” janë përmbajtjet e përcaktuara në Kodin Penal si përmbajtje të ndaluara për t’u shpërndarë me anë të sistemeve kompjuterike.”

Neni 4

Në nenin 5, bëhen këto ndryshime: 1. Në fund të shkronjës ë) të pikës 2, shtohet fraza: “duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të marrësve të shërbimit dhe konsumatorëve”. 2. Shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

  1. Përgjegjësitë e ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse që mundësojnë transmetimin e thjeshtë, ruajtjen e shpejtë apo hostimin e përmbajtjes së siguruar nga marrësi i shërbimit, përcaktohen në Kreun V të këtij ligji.

Neni 5

Në fund të nenit 7, shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “4. Në rast mosrespektimi të detyrimeve të pikës 1 të parashikuara në këtë nen, marrësi i shërbimit, ka të drejtë të ankohet pranë autoriteteve zbatuese për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit dhe/ose te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas rastit të shkeljes së konstatuar”.

Neni 6

Në fund të nenit 9, shtohen pikat 4 dhe 5 si më poshtë: 4. Në rast mosrespektimi të regjistrit të përjashtimit nga ofruesi i shërbimit apo dërgimit të komunikimeve tregtare pa marrë miratimin paraprak të marrësit të shërbimit, ky i fundit ka të drejtë të ankohet pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

  1. Rregulla të hollësishme në lidhje me regjistrin e përjashtimeve për komunikimet e pakërkuara prej marrësve të shërbimeve, persona fizikë, përcaktohen me Udhëzim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të mbrojtjes së të dhënave personale.

Neni 7

Neni 17 riformulohet si më poshtë: Hosting/ 1. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit që kryen hostimin e të dhënave apo ruajtjen e informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit, nuk është përgjegjës për përmbajtjen e informacionit nëse:

  1. a) nuk ka dijeni për veprimtari ose përmbajtje të paligjshme, nuk është në dijeni të fakteve a rrethanave prej të cilave rrjedh aktiviteti apo përmbajtja e paligjshme, si dhe për dëme të pretenduara.
  1. b) me vënien në dijeni për një veprimtari apo përmbajtje të paligjshme, vepron me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar aksesin në informacion si më poshtë:
  1. i) brenda 24 orëve nga marrja e vendimit të gjykatës apo kërkesës së autoritetit përgjegjës heq ose çaktivizon aksesin në informacion;
  1. ii) brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit nga një palë e cenuar, ofruesi i shërbimit përcjell njoftimin tek autoritetet përgjegjëse, sipas pikës 2 të nenit 20 të këtij ligji dhe çaktivizon aksesin në informacion, deri në marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës. Me marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës apo gjykata, ofruesi i shërbimit rikthen aksesin apo heq përmbajtjen sipas vendimit përkatës.
  1. Ofruesi i shërbimit nuk përjashtohet nga përgjegjësia sipas pikës 1 të këtij neni, në rast se marrësi i shërbimit vepron në emër ose nën kontrollin e ofruesit të shërbimit.

Neni 8

Pas pikës 1, të nenit 20, shtohen pikat 1/1 dhe 1/2 me këtë përmbajtje:

1/1“Ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit që ruajnë apo hostojnë informacionin e marrësit të shërbimit janë të detyruar të ofrojnë në faqen e tyre rubrikën për raportim të një materiali apo informacioni të paligjshëm të ruajtur apo hostuar prej tyre, si dhe të hartojnë dhe publikojnë në faqet e tyre të internetit rregullat e administrimit të përmbajtjes të siguruar nga marrësi i shërbimeve, përfshirë rregullat për rastet e heqjes, çaktivizimit të aksesit në përmbajtjen e paligjshme”.

1/2 “Raportimi sipas pikës 1/1 duhet të përmbajë emrin e plotë dhe adresën e raportuesit, specifikim të informacionit apo materialit që konsiderohet i paligjshëm, adresën e saktë të vendndodhjes/ruajtjes (URL) së tyre dhe argumentet dhe dispozitat ligjore ku bazohet raportimi për paligjshmërinë. Raportuesi është përgjegjës për kompensimin e dëmit të shkaktuar në rastin e një raportimi abuziv apo të rremë.”

Neni 9

Pika 2 e nenit 21 riformulohet si më poshtë:

  1. Për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve, të përcaktuara në këtë ligj, ngarkohen:
  2. a) ministri përgjegjës për shoqërinë e informacionit, i cili koordinon krijimin e pikave të kontaktit sipas nenit 21/1 të këtij ligji dhe është pika kryesore e kontaktit me Komisionin Europian, për çështjet e shoqërisë së informacionit.
  1. b) Komisioni për mbrojtjen e Konsumatorit, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe, c) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Marrë nga "Mapo"