Turqia i ofroi Bashkimit Evropian ndihmë më të madhe për ndalimin e valës së emigrantëve drejt kontinentit, por në këmbim kërkoi më shumë para, bisedime më të shpejta dhe liberalizim vizash për qytetarët e vet. Kryeministri Ahmed Dautollu tha se Ankaraja është gati të marrë mbrapsht të gjithë emigrantët josirianë të cilëve u është mohuar azili në Evropë dhe atyre të gjetur në ujërat e veta territoriale, si edhe të ashpërsojë luftën ndaj trafikantëve.

Takimi BE-Turqi sot në Bruksel, i parashikuar të zgjaste gjysmë dite, u zgjat për t’i dhënë mundësi Dautollusë të parashtronte “idetë e reja” që shkojnë përtej angazhimeve të deritanishme të Ankarasë. 28 krerët e Bashkimit Evropian po diskutojnë rreth propozimeve turke gjatë pasdites dhe pritet të takohen sërish me kreun e qeverisë së Ankarasë në mbrëmje. “Turqia po ofron më shumë, por edhe po kërkon më shumë,” – thane zyrtaret pas sesionit të parë të punimeve të samitit. Ndërkohë një zëdhënës i Dautollusë konfirmoi propozimet e bëra, por nuk dha më shumë hollësi rreth thelbit të tyre.

Diplomatët thanë se në takimin parapërgatitor me kancelarin Angela Merkel dhe kryeministrin holandez Mark Rute të dielën mbrëma, Dautollu kërkoi më shumë se 3 miliardë eurot e rezervuara deri tani për trajtimin e refugjatëve sirianë në Turqi. “Jam i sigurt se këto sfida do të përballohen me bashkëpunim mes nesh, dhe Turqia është gati të punojë me BE. Po ashtu Turqia është e gatshme të bëhet anëtare e BE. Shpresoj që ky samit të mos përqendrohet vetëm te emigrimi i paligjshëm, por edhe te procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE,” – tha Dautollu me të mbërritur në Bruksel sot në mëngjes.