Miliarderi Donald Trump i është afruar më shumë marrjes së nominimit të Partisë Republikane pas fitoreve në zgjedhjet paraprake në Louisiana dhe Kentucky. Nderkohe, në kampin demokrat, Hillary Clinton zgjeroi avantazhin ndaj Bernie Sanders, megjithë fitoret e tij në dy shtete.

Pas fitoreve të së shtunës, Donald Trump i bëri thirrje senatorit Marco Rubio të lërë garën. "Ishte një ditë shumë e keqe për Marco Rubio. I bëj thirrje ta lërë garën. Mendoj se ka ardhur koha. Sa herë del i treti apo i katërti, thotë se do të fitojë, por nuk ja ka dalë mbanë, prandaj duhet të largohet. Do të doja shumë të përballesha tek-e-tek me Tedin. Do të ishte shumë argëtuese," – tha Trump.

Senatori Ted Cruz rezulton rivali më i afërt i Trump, pasi fitoi zgjedhjet paraprake në Maine dhe në Kansas, dhe doli i dyti në dy shtete të tjera.

Në kampin demokrat, ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton fitoi në Louisiana dhe rriti avantazhin ndaj senatorit Bernie Sanders, pavarësisht se ai fitoi në dy shtete, në Kansas dhe Nebraska. Sanders ka premtuar ta vazhdojë garën deri kur të mbahet konventa demokrate në muajin korrik, ndërkohë që do të përballet në mbrëmje me Clinton në një debat televiziv në Michigan.