Pas vjedhjes së xhamisë “Riza Bajrami”, hajdutët mësynë edhe xhaminë në qendër të qytetit të Durrësit. Persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë natën e shkuar e kanë vjedhur një sasi parash dhe sendesh me vlerë në ambientet e brendshme të xhamisë.
Por policia e Durrësit, edhe në këtë rast nuk ka asnjë komunikim zyrtar për ngjarjen, pavarësisht këmbënguljes së medies. E kontaktuar nga “DurresLajm” për këtë ngjarje rreth orës 10:00 paradite, zëdhënësja Elona Muça e mohoi kategorikisht vjedhjen e myftinisë në qendër të Durrësit.
“Ka pasur një vjedhje disa ditë më parë në xhaminë e plazhit të katër minareve, nuk ka në Durrës ngjarje të tillë”, pohoi Muça, e cila vetëm gjatë mbrëmjes e ndryshoi sërish këtë pohim.
Me sa duket, zëdhënësja e policisë së qytetit nr. 2 më të madh në vend nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes. Vetëm pasi lajmi u dha nga mediet e ndryshme, Muça u informua rreth asaj që kishte ngjarë dhe na bëri me dije gjatë orëve të mbrëmjes se në myftininë e Durrësit dyshohet se janë vjedhur rreth 100 mijë lekë, por shuma nuk është e sigurt.
Me këto deklarata, zëdhënësja e policisë e cila përfaqëson një prej institucioneve kryesore të qytetit, nuk bën gjë tjetër veçse tregon një mungesë të theksuar profesionalizmi, që nuk di se ç'ndodh në qytetin për të cilin drejtuesit e kanë caktuar si zëdhënëse të medias.





