Policia e Tiranës ka ekzekutuar sot operacionin e koduar “Flash”, që është finalizuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e 10 kg lëndë narkotike, e llojit Cannabis sativa. Sipas një njoftimi për shtyp, kanë qenë agjentët e seksionit të antidrogës që, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, kanë hetuar dhe dokumentuar aktivitetin ilegal të shtetasve Elton Lala dhe Shkëlzen Duka, 29 dhe 28 vjeç, të dy banues në kryeqytet.

Në njoftimin zyrtar saktësohet se njëri prej të arrestuarve, shtetasi Elton Lala, është funksionar i Policisë së Burgjeve. Agjentët përmes hetimeve kanë zbuluar se shtetasit në fjalë e ushtronin aktivitetin e tyre në Farkë, pranë një qendre tregtare, ku dhe janë arrestuar, thuhet më tej në njoftim. Nga kontrollet e kryera në automjetin e tyre, agjentët kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 10 kg marijuane, një pistoletë e tipit “TT”, dy krehër me 14 fishekë dhe kater telefonë celularë.